Gjuha shqipe ta gjejë vendin e vet në kushtet e globalizimit dhe digjitalizimit

Skender ASANI

Sot, 116 vjet pas Kongresit të Manastirit, kur gjuha shqipe është konsoliduar dhe standardizuar brenda kodeve të komunikimit dhe interaktivitetit publik, na mbetet edhe shumë punë për të bërë që kjo gjuhë të gjejë vendin e vet në kushtet kur bota gjithnjë e më tepër po shkon drejt globalizmit dhe digjitalizimit. Ky fakt e shton përgjegjësinë tek përdoruesit e gjuhës shqipe, si në planin privat, ashtu edhe në atë publik e zyrtar, duke krijuar një mekanizëm efikas të mbrojtjes së gjuhës shqipe nga efektet që prodhojnë gjuhët e mëdha, siç është anglishtja dhe gjuhët tjera.

 

Me të drejtë atdhetari dhe publicist i Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasi,  nënvizonte se unifikimi i alfabetit që u arrit në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, u quajt emergjencë nga atdhetarët e viteve të para të shekullit të XX.  Pas diskutimeve shterruese dhe herë-herë pomizuese, Kongresi i Manastirit miratoi një alfabet unik, që për bazë kishte alfabetin  Stambollit me pak ndryshime (ë, e, p, x) dhe bashkë me ato shkronja, kongresi vendosi të përdorte edhe një alfabet tjetër latin, duke bashkuar dy alfabetet për ata zëra që mungojnë në abc-të latine.

Mbi rendësinë dhe jehonën që patën vendimet e Kongresit të Manastirit, kanë shkruar edhe gazetat dhe revistat e kohës. Kështu, bie fjala, “Kalendari Kombiar” i vitit 1909 shkruante: “Është një nga ngjarjet më të mëdha për kombin shqiptar…Ky kongres u mblodh për t’i dhënë fund çështjes së “ABC”-së, për të vendosur që të shkruhet gjuha shqipe me një palë shkronja e jo si deri tani që çdo njeri e ngrehte abc-në siç i donte qefi…”
Shtypi i kohës gjithashtu njoftonte gjerësisht edhe për efektet praktike që pati në terren miratimi i një alfabeti të përbashkët në Manastir, dhe për rrjedhojë u vunë në jetë shumë iniciativa të elites shqiptare për hapjen e shkollave, shoqatave, klubeve dhe të gazetave, të cilat do të kishin për bazë alfabetin e posamiratuar në Kongresin e Manastirit.

Fillimisht u hap e para shkollë në Elbasan, pas saj  në Tiranë, duke vazhduar hapjet e shkollave në Korçë, Berat, Kolonjë etj. Gjithashtu u hapen disa klube të mëdhenj në Stamboll, Selanik, Shkup, Egjipt, Manastir, Janinë si dhe disa më të vegjël në qytetet tjera shqiptare.
Menjëherë pas Kongresit të Manastirit u hapën edhe shumë gazeta në gjuhën shqipe, siç ishin : “Liria”, “Shkupi”,  “Drita”, “Bashkimi”, “Korça”, “Rrufeja” etj.

Në Kongresin e Manastirit, para 116 vjetësh, nuk u bë vetëm standardizimi i alfabetit të gjuhës shqipe, por u arrit edhe një kompromis i madh në mes të shtresave të ndryshme të elites intelektuale shqiptare të asaj kohe, e cila ndonëse vinte nga provinienca të ndryshme fetare e krahinore, e gjeti formulën e koegzistencës dhe harmonisë në mes veti. Kjo formulë prodhoi vizionin perendimor në vetëdijen kulturore e arsimore të shqiptarëve, duke e shkëputur nga treni aziatik vagonin shqiptar të aspiratave euro-atlantike.

Me alfabetin e unisuar të gjuhës shqipe, ku dominonin shkronjat latine, shqiptarët, ndonëse vuanin vitetet e fundit nën robërinë otomone,  iu dhanë fund dilemave dhe hezitimeve se nga duhet të orientohet identiteti i tyre etno-kulturor.

Të liruar nga dilemat identitare, shqiptarët e patën shumë lehtë të vendosin  ura bashkëpunikmi e komunkimi edhe me fqinjët e tyre dhe me popujt më të largët. Këtë ia mundësoi parasegjithash alfabeti latin, i cili me kalimin e kohës prodhoi një klimë kulturore bashkëpunuese me gjuhët dhe kulturat tjera. Në faqet e revistave dhe gazetave të kohës që dilni në gjuhën shqipe, filluan të botohen artikuj publicistikë e letrarë edhe të autorëve ballkanas e europian dhe kjo mundësoi që akujt e paragjykimeve dhe stereotipeve të shkrihen sado pak në syprinën e trashë që e kishte krijuar politika e aleancave ballkanike, të udhëhequra nga idetë e hegjemonizmit dhe shovenizmit.

Sot,116 vjet pas Kongresit të Manastirit, kur gjuha shqipe është konsoliduar dhe standardizuar brenda kodeve të komunikimit dhe interaktivitetit publik, na mbetet edhe shumë punë për të bërë që kjo gjuhë të gjejë vendin e vet në kushtet kur bota gjithnjë e më tepër po shkon drejt globalizmit dhe digjitalizimit. Ky fakt e shton përgjegjësinë tek përdoruesit e gjuhës shqipe, si në planin privat, ashtu edhe në atë publik e zyrtar, duke krijuar një mekanizëm efikas të mbrojtjes së gjuhës shqipe nga efektet që prodhojnë gjuhët e mëdha, siç është anglishtja dhe gjuhët tjera.
Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 17 vjetorin e themelimit të ITSHKSH-së, do të donim që e ardhmja e gjuhës shqipe të jetë ngusht e lidhur me synimet tona të përbashkëta për një ardhmëri euro-atlantike.
Uroj që mbi këtë ardhmrëti t’i ndërtojmë edhe fatet tona individuale dhe kolektive!


Shkup, 22. 11. 2024 

 

(Fjalë e mbajtur në Akademinë solemne të ITSHKSH-së kushtuar 116 vjetorit të Kongresit të Manastirit)