Prishtinë, 22 nëntor 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë shumë shpesh shqipton dënime të buta dhe jo-proporcionale.
Në ceremoninë e lansimit të Udhëzuesit për Matjen e Dënimit nga Gjykata Supreme, në Prishtinë, ambasadori amerikan ka thënë se dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale.
“Dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale dhe udhëzuesi i përgjithshëm do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Siç e dëgjuam, Kosova para 6 vitesh ka miratuar udhëzuesin e parë për matjen e dënimeve dhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë së Kosovës vazhdojnë të jenë shembull për vendet e rajonit. Ky është vetëm hapi i parë, sepse siç e dini e gjithë puna e vështirë fillon tani. Duhet të bëhet gjithë ajo punë që ky udhëzues të jetë real dhe të hyjë në fuqi, sepse raporte ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta apo jo proporcionale, duke theksuar nevojën urgjente që ky udhëzues të zbatohet plotësisht”, ka thënë Hovenier, citon Telegrafi.
“Me zbatimin e këtij udhëzimi ju i tregoni publikut se vendimet tuaja bazohen në standarde dhe praktikat më të mira në drejtësi. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur një proces të ngjashëm. Vazhdojmë të mësojmë nga ky proces, asnjë shtet nuk e bën siç duhet, por përdorimi i udhëzuesit në SHBA ka pasur sfidat e veta, por ka zvogëluar mospërputhjet e padrejta ndërmjet juridiksioneve, ka krijuar një sistem më të qëndrueshëm që balancon diskrecionin gjyqësor me llogaridhënien”, ka shtuar ai.
Ambasadori amerikan ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përkrahjen për Kosovën.
“Prej pavarësisë dhe para pavarësisë Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah jush. Do të vazhdojmë të jemi krah jush”, theksoi ambasadori Hovenier.
Ndërkaq, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka thënë se lansimi i Udhëzuesit për Matjen e Dënimit është një nga momentet më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Ky dokument është rezultat i një pune të gjatë, reflekton angazhimin tonë për të siguruar një drejtësi të konsoliduar dhe një praktikë unifikuese në përputhje me praktikat e legjislacionit në fuqi”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka thënë se ky udhëzues, për dallim nga ai i vitit 2018, ofron sqarime specifike për pothuajse secilin kapitull të Kodit Penal.
“Problemet aktuale në matjen e dënimit për veprat e njëjta penale qoftë brenda të së njëjtës gjykatë apo në gjykata të ndryshme kanë pasoja të mëdha pasi ato po ndikojnë në besimin e qytetarëve lidhur në paanshmërinë dhe profesionalizimin e gjyqësorit, duke ndikuar kështu në imazhin e sistemit të drejtësisë”, tha Rexhepi duke shtuar se ky udhëzues jo vetëm që synon forcimin e sundimit të ligjit por edhe rritjen e besimit të qytetarëve dhe ndjenjës së sigurisë”, ka thënë Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës.
(r.m.)