Matt Gaetz njofton se heq dorë nga manadati i ri në Dhomën e Përfaqësuesve

Uashington, 22 nëntor 2024 – Ish ligjvënësi Matt Gaetz tha në një intervistë të premten se nuk do ta marrë mandatin në përbërjen e re të Kongresit që do të mblidhet në 3 janar 2025, raportoi Zëri i Amerikës.

“Do të vazhdoj të luftoj, por nga një pozitë e re. Nuk e kam ndërmend të jem anëtar i legjislaturës së 119 të Kongresit”, tha zoti Gaetz, republikan nga Florida, i cili u intervistua nga aktivisti i djathtë Charlie Kirk.

Ky njoftim erdhi një ditë pasi ai nuk e pranoi emërimin nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm, mes dyshimeve për marrëdhënie intime me një vajzë minorene 17 vjeçare dhe për përdorim të paligjshëm droge, dyshimne këto që ai i ka hedhur poshtë.

Sipas rrjetit CNN, Gaetz tha se ai është viktimë e një fushate për njollosjen e figures së tij.

“Unë do të luftoj për Presidentin Trump. Do të bëj gjithçka që më kërkon, siç kam bërë gjithmonë”, tha zoti Gaetz në intervistë.

“Por, besoj se tetë vjet janë kohë e mjaftueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

Të mërkurën në mbrëmje, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Etikën nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish ligjvënësin Gaetz.

Matt Gaetz është i pari nga të emëruarit e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për kabinetin e tij të ardhshëm, ndonëse pikëpyetje për sjellje në të kaluarën e tyre ka edhe për disa prej të emëruarve të tjerë për administratën e ardhshme republikane. Edhe emërimi i ish ushtarakut dhe gazetarit të rrjetit televiziv Fox News, Pete Hegseth, për shef të Pentagonit ka ngjallur debate lidhur me dyshimet për abuzim seksual.

(r.m.)