Osmani bisedoi me zyrtarë të NATO-s për sigurinë në Kosovë

Halifax (Kanada), 24 nëntor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, në Kanada, është takuar me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar praninë e NATO-s në Kosovë dhe kontributin e KFOR-it për paqen dhe sigurinë në Kosovë, duke theksuar se angazhimi i Aleancës Veriatlantike është faktor kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.

“Gjatë takimit me Admiralin Rob Bauer, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, shpreha mirënjohjen e thellë për rolin e NATO-s në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe përkushtimin e vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tone”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.

Presidenca e Kosovës bëri të ditur se Presidentja Osmani ka shprehur edhe përkushtimin e Kosovës për të kontribuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me NATO-n.

Në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, Presidentja Osmani është takuar edhe me me ndihmësekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, njoftoi e Presidenca e Kosovë.

Në njoftim bëhet e ditur se në fokus të takimit ka qenë forcimi i sigurisë në Kosovë e në rajon, si edhe pëtkushtimi i Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike.

“Me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Boris Ruge, diskutimet u fokusuan në rrugën e Kosovës përpara, veçanërisht në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe të ardhmes sonë euroatlantike”, thuhet në një postim të saj në Facebook.

Presidentja Osmani, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar në Halifax edhe me ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Bill Blair. Aty është njoftuar se Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak.

“Një lajm i mrekullueshëm sot nga Halifaxi: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak.

Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij Programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada.

Kosova dhe Kanadaja – një partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

May be an image of 7 people and text

(r.m.)