Prishtinë, 25 nëntor 2024 – Policia e Kosovës ka njoftuar se është vendoset guri i themelit i nënstacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Izvor të Zveçanit, në pjesën veriore të vendit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, në mëngjesin e sotëm vendosën gur themelin e nënstacionit policor në fshatin Izvor të Komunës së Zveçanit, dy kilometra larg kufirit me Serbinë”, thuhet në njoftim.
“Në këtë nënstacion të ri, që do të ofrojë kushte të përshtatshme të punës për zyrtarët policorë, do të shërbejë policia kufitare, e cila ka në mandat mbrojtjen dhe sigurinë e kufirit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale ndërkufitare”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, njoftohet se të premten, më 23 nëntor, është vënë guri i themelit i nënstacionit policor tek Ura e Lumit Bistricë dhe po punohet intensivisht në ndërtimin e objektit të Policisë dhe ARC-së në Leshak, ku është vënë gur themelin para një muaji.
“Të gjitha këto investime po bëhen me qëllim të sigurimit të kushteve të dinjitetshme të punës për policët tanë, të cilët shërbejnë në këtë pjesë dhe ngritjes së kapaciteteve për ofrimin e sigurisë për vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Ministri i Punaëvbe të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë vendosjes së gurthemelit të nënstacionit policor në Bistricë, ka thënë se me objektet e reja do të ofrohen kushte më të mira për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët, siç është shprehur, “po shërbejnë prej gati dy vjetësh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit tonë e për sigurinë e përgjithshme të Republikës sonë”.
“Nga 1 zyre që kemi gjetur në dispozicion të ruajtjes së kufirit me Serbinë sot kemi 9 nënstacione me polic të përkushtuar e në shërbim të Republikës sonë. Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”, ka theksuar ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit serb, që është shumicë në veri të Kosovës, kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga Policia e Kosovës.
Kundër ndërtimit të stacioneve të reja të policisë së Kosovës në katër komunat veriore ka reaguar ashpër edhe Beogreadi zyrtar. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar ndërtimin e stacioneve të reja policore në veri si “mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.
Ai ka deklaruar se autoritetet e Kosovës “e kanë ndryshuar në mënyrë të dhunshme strukturën etnike të policisë” në veri të Kosovës.
(r.m.)