Beograd, 25 nëntor 2024 – Deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës në Kuvendin e Serbisë janë përplasur dhe janë rrahur mes vete në seancën plenare të 25 nëntorit, njofton Radio Evropa e Lirë.
Në çastet e përplasjeve, transmetuesi publik i Serbisë e kishte ndalur zërin nga salla, kështu që nuk mund të dëgjohej se për çfarë po përplaseshin deputetët dhe as se si ka nisur incidenti.
Por, gjatë transmetimit u pa se sigurimi i parlamentit ndërhyri në sallë për t’i ndarë deputetët e pushtetit dhe opozitës, të cilët po e shtyheshin dhe po goditeshin ndërmjet veti.
Kryetarja e Parlamentit, Ana Bërnabiq, u kërkoi deputetëve të kthehen në ulëset e tyre, në mënyrë që seanca plenare të mund të vazhdonte.
Deputetët opozitarë paralajmëruan se do të bllokojnë punën e Parlamentit, pasi Bërnaq e refuzoi kërkesën e tyre për të caktuar një seancë ku do të diskutohej për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, pas incidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor, ku e humbën jetën 15 persona, si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni.
Opozita serbe po kërkon shkarkimin e kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe përgjegjësisë penale për ngjarjen në Novi Sad.
Incidentet në Parlament nisën në momentin kur kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe ministrat e Qeverisë serbe hynë në sallën plenare.
Deputetët opozitarë ngritën pankarta ku shkruhej “Korrupsioni vret” dhe “Duart tuaja janë të përlyera me gjak”.
Ata gjithashtu shpalosën një pankartë me figurën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku duart e tij ishin me ngjyrë të kuqe.
Deputetët e pushtetit u përgjigjën duke ngritur fletë ku shkruhej “Llum i verdhë, korrupsioni dhe hajnia janë emri juaj i mesëm”.
Një pjesë e deputetëve opozitarë më pas u përpoqën të afrohen te ministrat.
Incidenti ndodhi gjithashtu edhe në galerinë e sallës së Kuvendit, ku ndërhyri pӕrsëri personali i sigurisë në Parlamentit.
Në galeri, deputetët e pushtetit e shpalosën pankartën “Llumi i verdhë do luftë, Serbia do punë”. Edhe aty pati përleshje mes deputetëve, pasi deputetët e pozitës tentuan ta hiqnin pankartën.
Fjalimi i kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, u ndërpre nga opozita, të cilët krijuan zhurmë përmes pipave dhe vuvuzelave, ndërkohë që ata e mbanin në duar pankartën “Duart tuaja janë të përlyera me gjak”.
(r.m.)