Uashington, 26 nëntor 2024 – Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të hënën se në ditën e tij të parë në detyrë do të vendoste një tarifë 25% për të gjitha produktet nga Meksika dhe Kanadaja, dhe një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga Kina, duke përmendur rolin e tyre në emigracionin e paligjshëm dhe tregtinë e drogave të paligjshme.
“Më 20 janar, në mesin e shumë Urdhrave të parë Ekzekutiv, unë do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të vendosur 25 për qind tarifë ndaj të gjitha produkteve nga Meksika dhe Kanadaja që hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në një postim të zotit Trump në rrjetin “Truth Social”.
Zoti Trump tha se tarifat do të mbeten në fuqi derisa të dyja vendet të ndalin kalimin në Amerikë të drogës, veçanërisht të fentanilit dhe emigrantëve të paligjshëm.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu akuzoi Kinën se nuk ka ndërmarrë veprime mjaft të forta për të ndalur rrjedhën e drogave të paligjshme që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit meksikan.
“Ne do të vendosim një tarifë prej 10 për qind ndaj të gjitha produkteve të Kinës që vijnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila nuk do të hiqet derisa ata të ndalin rrjedhën e drogës”, thuhet në postimin e zotit Trump.
Presidenti i zgjedhur është zotuar më parë t’i japë fund statusit tregtar të vendit më të favorizuar që gëzon Kina dhe të vendosë mbi 60 për qind tarifa ndaj importeve kineze, shumë më të larta se ato të vendosura gjatë mandatit të tij të parë.
Ekonomia kineze është në një pozitë shumë më të vështirë, duke patur parasysh rënien e tregut të shtëpive dhe pasurive të patundshme, rreziqet nga borxhi publik dhe dobësimi i kërkesave të konsumit të brendshëm.
Dollari u rrit me më shumë se 2% kundrejt pesos meksikane, pas publikimit të komenteve të zotit Trump në platformën e tij të mediave sociale.
(Zëri i Amerikës)