Tiranë, 27 nëntor 2024 – Prokuroria e Posaçme njoftoi të mërkurën dërgimin për gjykim të një grupi zyrtarësh e ish-zyrtarësh të një sërë institucionesh, që akuzohen se nën udhëheqjen e deputetit (atëherë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme) Plarent Ndreca, dyshohet se favorizuan në shkelje ligjore arkitektin Gjon Radovani për të fituar tendera me vlerë 34 milionë lekë.
Prokuoria bën me dije se nga hetimet ka rezultuar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit bashkëpunuan “në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike”.
“Nga provat e mbledhura, rezulton se një grup zyrtarësh të udhëhequr ex officio nga Plarent Ndreca, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka qënë titullar i autoritetit kontraktor kanë kryer shkelje ligjore në fazat e tenderit për të shpallur fitues shtetasin Gjon Radovani, pavarësisht mospërmbushjes së kritereve ligjore nga ky i fundit”, thuhet në njoftim.
I pyetur nga BIRN për akuzat ndaj tij, deputeti Ndreca këmbënguli se çështja ishte ende në hetim dhe pretendoi se publikimi i të dhënave në këtë rast ishte shkelje penale.
“Çështja konsiderohet akoma nën hetim dhe çdo e dhënë që del, është shkelje penale ajo e “nxjerrjes së sekretit hetimor”. Unë do mbaj qëndrim atëher kur duhet e si duhet, pa e cënuar procesin hetimor, institucionet dhe pa thyer ligjin,” tha Ndreca përmes një mesazhi të shkruar.
Veç Ndrecës, në listën e të akuzuarve janë një numër zyrtarësh të tjerë që dyshohen për shkelje të ligjit. Sipas prokurorisë, të përfshirë janë anëtarët e njësisë së prokurimit Denisa Skënderaj, Lira Kolasi, dhe Blendi Kovi, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi, Jonarda Qurku, anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, Julia Hysa, dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë si Elora Kokalari, dhe Aida Shehi, që akuzohen se “kanë kontribuar në devijimin e procedurave ligjore”.
Prokuroria po ashtu akuzon një komision për marrjen në dorëzim të projektit, se ka nënshkruar procesverbale të rreme. Anëtarët e komisionit, Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi po ashtu janë dërguar për gjykim.
Prokuroria thotë se Ministria e Brendshme në kontratën “Studimi dhe Projektimi i disa objekteve të Policisë së Shtetit” kishte caktuar një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) për katër objekte policore. Por kjo vlerë u ndryshua duke zvogëluar numrin e objekteve në 2 dhe reduktuar vlerën në 34,2 milionë lekë. Prokuoria thotë se kjo u bë “për të favorizuar fituesin”.
Arkitekti Gjon Radovani, ish-zëvendës ministër i Zhvillimit Urban në qeverinë e parë të kryeministrit Edi Rama, mohoi në një reagim publik të kishte përfituar në mënyrë të paligjshme. Ai këmbënguli në një procedurë të rregullt dhe tha se ishte në gjyq me ministrinë e Brendshme që kishte refuzuar të paguante faturën. “Pas një kalvari prej tre vitesh të gjendur para një padrejtësie për ne tashmë të pazgjidhshme i kemi kaluar çështjen një avokati për të marrë rrugën e mundshme të një procesi civil kundër debitorit,” shkroi Radovani në faqen e tij në Facebook.
Edhe SPAK pranon në njoftim për shtyp se fatura nuk u pagua, por e konsideron dëm shumën e planifikuar për pagim, ndërsa thotë se mospagimi është rezultat i paligjshmërive të gjetura nga auditi në proces. “Nga veprimet e paligjshme të kryera, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar, i vlerësuar sipas kontratës në vlerën prej 34,248,000 lekë. Deri në këtë moment, kjo vlerë nuk është ezekutuar ndonëse përfituesi ka lëshuar faturat përkatëse për shkak të kundërshtimit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mbi paligjshmëritë e evidentuara gjatë procesit”, thuhet në njoftim.