Festë në Nju Jork : 112 – vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, flamuri shqiptar ngrihet në shtizën e bashkisë së qytetit

Beqir Sina

Sideshow : https://youtu.be/tcaEbNmlHV4?si=b3Meyj1tR4nitd30

NEW YORK

Në kuadër të javës së flamurit shqiptar  është mbajtur të martën (26 nëntor)në “Lower Manhattan” në Nju Jork, ceremonia e ngritjes së Flamurit Shqiptar në nder të 112- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

 Kjo ceremoni solemne  u organizua nga kryetari i Këshillit të Diaspores Shqiptare, Mark Gjonaj në partneritet me Zyrën e Kryetarit të Bashkisë për Çështjet e Emigrantëve në Nju Jork , si dhe kontributin e dy vajzave shqiptare pjesë e stafit të zyrës së kryebashjakut të Nju Jorkut zyra , Organizuese e Njësive lokale administrative pranë zyrës së Komisionerit të Çështjeve për Emigrantët , Lidia Dobi dhe Orcida Harizaj.

Në ceremoninë e ngritjes së flamurit në 112- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në shtizën e bashkisë së Nju Jorkut,  mori pjesë  Kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju-Jorkut, Eric Adams, i cili bëri edhe ngritjen e flamurit në shtizën e bashkisë së Nju Jorkut, dhe e shpalli këtë javë : “Java e Flamurit kuq e zi ” në qytetin e New Yorkut.

Tre anëtarët e komunitetit shqiptar u vlerësuan gjatë kësaj ceremonie ata ishin  Vera Mjeku, Fadil Berisha dhe Esad Gjonbalaj të cilët u nderuan për ndikimin dhe kontributin e tyre në komunitet.

Në fillim të ceremonisë hyri një skuadrilje ceremoniale e policisë së Nju Jorkut- NYPD,  të cilët janë policë shqiptar në uniformat blu të policisë së Nju Jorkut,  aty ku shërbejnë qindra shqiptarë, të cilët kanë edhe shoqatën e tyre të quajtur “Illyria”.

Në ndërkohë lutja e hapjes së kësaj ceremonie si dhe bekimi u mbajt nga Imam Tahir Kukaj, nga Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane e Staten Island.

Mark Gjonaj udhëheqës i kësaj ceremonie ndër të tjera tha se kjo: “Është, një ditë për të festuar jo vetëm historinë, tonë, jo vetëm një flamur, por edhe një popull dhe një identitet”.

Më pas foli Arthur Piccolo , ai që me shqiptarët e Amerikës, vendosën për her të parë flamurin kuq e zi pa yll, në shtizën e Bashkisë së Nju Jorkut, të siguruar nga disa anti- komunistët shqiptar në Nju Jork, tre dekada më parë.

Arthur Piccolo i cili është drejtori i shoqërisë Bowling Green deklaroi se: “Shoqëria e Bowling Green, është e lumtur që merr pjesë në ngritjen e flamurit kuq e zi”. 

Piccolo, shprehu mirënjohjen për punëtorët shqiptarë, emrat e te cilëve nuk i kishte shënuar dhe tani të pensionuar, që morën nismën për ngritjen e flamurit. Z. Piccolo po ashtu veçoi Kryebashkiakun Adams si të parin kryebashkjak që merr pjesë në ceremoni të tilla për çdo komunitet që jeton në New Jork.

Në ceremoninë e mbajtur  në Bowlling Green në Lower Manhattan për të përkujtuar ditën e 112 – vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, përshëndetën :   Lidia Dobi, Orcida Harizaj,  të ftuarit e nderit ambasadori i Shqipërisë në SHBA Ervin Bushati, Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në OKB Suela Janina, Shefi i Misionit të Kosovës në Nju Jork Blerim Reka, Ambasadorja e “Vullnetit të Mirë ” Emina Çunmulaj Nazarian, Zëvendës Komisioneri i Zyrës së Kryetarit të Bashkisë COS. Çështjet ndërkombëtare Aissata Camara, nëpunës publikë, si dhe veprimtari i dalluar Esad Gjonbalaj dhe aktivistja Vera Mjeku.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams , tha në fillim të fjalës së tij se me ndihmën e tij personale ka tre vjet që mbahet ky aktivitet nën kujdesin e Bashkisë së Nju Jorkut, dhe kryetarit të Bashkisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkjaku i Nju Jorkut, Eric Adams, tha ndër të tjera : S’mund të jesh këtu për një festë flamuri pa ngritur flamurin tonë. Ju e dini, që djali im ishte në Shqipëri dy vjet më parë,  duke performuar dhe treguar talentin e tij. Ai më tha kur ishte në Tiranë se:”Babë, jamë né Shqipëri, dhe nuk dua të kthehem  ngase Shqipëria, është shumë e bukur”. 

Më pas Adams tha : “Çfarë komuniteti janë shqiptarët çka do të thotë se ky komunitet do të thotë shumë për mua. Mbështetja juaj, fokusi, disiplina, pronarë biznesesh të vogla, të mesme e të mëdha. Ju besoni te siguria publike. Ju besoni te familja. Ju besoni tek edukimi dhe besoni te patriotizmi i përqafimit të vendit tuaj adoptues ndërsa doni atdheun tuaj, Shqipërinë. I vetmi shtet në botë që ju themi të ruani kulturën tuaj teksa vini këtu dhe e pasuroni me përvojën amerikane, është Nju Jorku, i të gjitha, kulturave, traditave, feve, dhe kombeve të ndryshme.”

Kryebashkiaku Eric Adams edhe kësaj radhe përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke bërë Shqiponjën me dy pëllëmbat e duarve për të treguar simbolikën e ngritjes së flamurit shqiptar krah për krah atij amerikan.

Ceremonia në Bowlling Green pjesën e poshtme të qytetit, u mbyll me ngritjen e flamurit shqiptar përkrah atij amerikan në shtizën e bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, në shoqërimin e dy himnve kombëtare.

Pjesë e programit të Festimit në Nju Jork, të 112 – vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, ishte edhe një shfaqje kërcimi nga Teatri i Baletit Ajkun, dhe një grupi të vallëtarve të Shoqatës “Skënderbej”.