Prishtinë, 29 nëntor 2024 – Ndërtesa e Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës është sulmuar me një mjet shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore, të enjten, pak para mesnatës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka bërë të ditur se shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale në ndërtesë dhe në disa vetura.
“Mbrëmë para mesnate ka pasur një shpërthim. Ne dyshojmë se ka qenë granate dore e llojit M-75. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e komunës së Zveçanit, e po ashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër”, ka thënë ai.
Elshani ka thënë se policia është e përkushtuar për krijimin e aambientit të sigurtë për qytetarët, pavarësisht sfidave me të cilat përballet.
“Policia mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të ofrojë shërbimet ndaj qytetarëve të veriut të vendit”, ka theksuar ai.
Kryetari i Komunës, Ilir Peci, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj ndërtesës së kiomunës.
“Si Kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit”, ka shkuar Peci në Facebook.
Ai i ka postuar edhe disa foto të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi.
Ky është sulmi i dytë ndaj institucioneve në Zveçan në dy ditët e fundit. Para dy ditësh në këtë qytezë u sulmua me dy granata dore hapësira e stacionit policor.
Të mërkurën, kuvendi komunal i Zveçanit e shënoi 28 Nëntorin me një seancë solemne. Në seancë morën pjesë vetëm këshilltarët e subjekteve politike shqiptare.
Kjo është hera e parë që festa kombëtare e shqiptarëve festohet në këtë komunë me shumicë serbe.
(r.m.)