Kurti: Sulm kriminal e terrorist që synonte dëmtimin e infrastrukturës kritike

Prishtinë, 29 nëntor 2024 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha në një konferencë shtypi rreth mesnatës se sulmi i së premtes është akt kriminal dhe terrorist, i cili synonte të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe më të rëndësishme të vendit.

“Sonte ishte sulmi më i rëndë, ku me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike. Ky është sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, tha Kurti.

Ai tha se është e qartë se sulm,I është kryer nga kriminelë profesionistë, të angazhuar nga Serbia.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulm i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”, tha ai.

Kurti shprehu bindjen se sulmi ndaj kanalit të furnizimit me ujë nga Liqeni i Ujmanit është organizuar e oskertruar nga Beogradi zyrtar dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa është kryer nga strukturat kriminale serbe  që udhëhiqen nga Milan Radojçiqi.

“Për bindjen tonë të fuqishme, nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë e fajësinë, për organizmin dhe orkestrimin e këtij sulmi, përveçse Beogradi zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Milan Radoiçiq, mbështeten nga institucionet serbe dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq”, theksoi Kurti.

Ai tha se institucionet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit dhe zbardhjen të plotë të rastit.

“Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetët pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës rrezikojnë të mbesin pa ujë të pijshëm”, tha kryeministri Kurti.

Ai paralajmëroi takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës pas situatës së krijuar ndërsa falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, që reaguan duke dënuar sulmin dhe duke i ofruar mbështetje qeverisë së Kosovës.

Osmani: Bandat kriminale serbe do të humbin çdo betejë me institucionet e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në reagimin e saj tha se bandat kriminale serbe do të humbin çdo betejë me institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Kosovës nëpërmjet akteve terroriste.

“Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe maturinë.

“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se institucionet ndërkombëtare të sigurisë kanë ofruar ndihmë për sanimin e dëmeve dhe për hetimin e rastit.

“Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.

Sulminn ë kanalin e furnizimit me ujë të sistemit “Ibër – Lepenci” e ka dënuar edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cikla ka thënë se ky sulm e ka rrezikuaer furnizimin me ujë të pijes të qytetarëve serbë në veri. Ajo u ka bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it të hetojë rastin.

“Duam të theksojmë qartë se ky akt është absolutisht në kundërshtim me interesat e popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim të menjëhershëm lidhur me të”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

(r.m.)