Presidentja Osmani e anulon vizitën në Brunei, për shkak të zhvillimeve të fundit të sigurisë në Kosovë

Prishtinë, 30 nëntor 2024 – Presidenca e Kosovës ka njoftuar se Presidentja Vjosa Osmani e ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei, për shkak të zhvillimeve të fundit të sigurisë në vend. Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani dhe Sulltani i Bruneit, Haxhi Hassanal Bolkiah, kanë biseduar në telefon dhe janë marrë vesh që vizita të realizohet “në një kohë të përshtatshme për të dy palët”

“Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët. Ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t’u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas agjendës, Presidentja Osmani do të udhëtonte sot në mëngjes për në Brunei.

(r.m.)