Arrestohen 8 të dyshuar lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, konfiskohen armë, pajisje ushtarake e eksploziv

Prishtinë, 29 nëntor 2024 – Policia e Kosovës i ka arrestuar 8 të dyshuar dhe ka konfiskuar armatim të sofistikuar dhe eksploziv në pjesën veriore të Kosovës, gjatë operacionit të zhvilluar të shtunën në zonën rreth kanalit të furnizimit me ujë të sistemit “Ibër Lepenci” në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, i cili u dëmtua rëndë me eksploziv, të premten në mbrëmje.

“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit, në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste” tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut.

“Kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake. Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminale”, tha ai.

Sveçla tha se shpërthimi në kanalin e “Ibër-Lepencit”, i cili furnizon me ujë disa pjesë të vendit, është sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës pas përfundimit të luftës dhe bëri të ditur se aksioni është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se gjatë bastisjeve të kryera sot janë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 raketa dore (zolla), 3 granata dore, 2 armë automatike AK47, 1 revole, municione të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika e pajisje të tjera ushtarake, si edhe para.

Ai tha se dyshohet që armët dhe pajisjet e konfiskuara dyshohet se kanë të bëjnë me personat që e kanë kryer sulmin e mbrëmshëm terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë si edhe me akte të mëhershme kriminale të kryera në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne kemi arsye të besojmë se, në një formë apo tjetër, këta kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shume të mëhershëm dhe shumica janë pjesë të Mbrojtjes Civile”, tha ai.

Hoxha tha se për shpërthimin në kanalin e “Ibër – Lepencit” dyshohet të jenë përdorur 15 – 20 kilogramë eksploziv, që është aktivizuar me detonator mekanik.

“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit, prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha ai.

Ministri Sveçka tha se shumica e pajisjeve uishtarake të konfiskuara gjatë aksdionit të sotëm janë të prodhuara në Serbi dhe theksoi se eksplozivi i përdorur për shpërthimin e kanalit nuk gjendet në tregun e zi. Ai shprehu dyshimet se ky eksploziv ka dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë.

“Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që vështirë gjendet dhe ai gjendet në magazinat e ushtrisë. Ne besojmë seky eksploziv ka dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Policia e Kosovës do ta verifikojë këtë”, tha Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se 8 të arrestuarit mund të kenë lidhje me Milan Radoiçiqin, udhëheqësin e grupit të armatosur serb që e ka kryer sulmin terrorist në Banjsjk, në shtator të vitit të kaluar, porse ka shtuar është  punë e hetuesisë që të konfirmohet roli i secilit prej të arrestuarve.

Hoxha njoftoi se në një aksion tjetër të kryer të shtunën në Zveçan, janë gjetur e konfiskuar 2 armë automatike AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municione të kaliblrave të ndryshme dhe uniforma ushtarake.

Gjatë konferencës së përbashkët të Sveçlës e Hoxhës janë ekspozuar edhe armët, mujnicionet dhe pajisjet ushtarake të konfiskuara gjatë aksionit policor të shtunë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, në Varagë, ka përsëritur se sulmi i mbrëmshëm terrorist është kryer nga profesionistë.

“Unë e pash vendin e ngjarjes dhe nuk ka mundësi që të bëjë një ose dy individë, ose qytetarët të zakonshëm. E ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulmet e tilla terroriste dhe aftësinë, kapacitetin e interesin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia”, ka thënë ai.

Kurti ka ngritur dyshimet se përgjegjëse për sulmet e tilla janë organizatat kriminale serbë që mbështetet nga Serbia.

“Këto organizata, sidomos ‘Mbrojtja Civile’, janë në listën e rrogave në Serbi. Prandaj edhe ne e mbajmë Serbinë përgjegjëse për këtë, ka thënë ai.

“Dhe kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, sidomos nga Uashingtoni e Brukseli, që ta dënojnë Beogradin dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre”, ka theksuar Kurti.

(r.m.)