Prishtinë, 30 nëntor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar) dhe ambasadorin e BE-së, për të biseduar për sulmin kundër kanalit të ujit të “Ibër-Lepencit” në veri të vendit dhe për zhvillimet e fundit në vend, njoftoi Presidenca.
Osmani theksoi në takim me ambasadorët se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”.
“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në njoftim.
Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënojë sulmin dhe “të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë”.
Shtetet e QUINT-it përbëhen nga
Presidentja Osmani e takoi ndaras edhe misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduanin. Në këtë takim, ajo tha se “sulmi terrorist” ndaj infrastrukturës vitale “dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit”.
Më herët, KFOR-i e dënoi sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe e vlerësoi të rëndësishme gjetjen e fakteve dhe sjelljen e personave përgjegjës para drejtësisë.
KFOR njoftoi se nga e premtja në mbrëmje, kur ndodhi sulmi, ka ofruar sigurinë përreth kanalit të ujit dhe zonave në afërsi, si edhe ka ndihmuar institucionet e Kosovës me logjistikë dhe me mjete të tjera.
Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë se qëndron pas këtij sulmi, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
(r.m.)