DASH: Do të mbështesim përpjekjet për gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin në veri të Kosovës

Uashington, 1 dhjetor 2024 – Departamenti amerikan i Shtetit tha të dielën se mbështet përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit për sulmin e së premtes, që dëmtoi kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

“Dënojmë sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjithë mbështetjen për këtë përpjekje”, shkroi në platformën X zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, duke shpërndarë reagimin e dy netëve më parë të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Komentet e zotit Miller, janë vazhdën e reagimeve të diplomacisë perëndimore e cila e dënoi gjerësisht sulmin dhe ofroi mbështetje për Prishtinën në përballimin e situatës së krijuar pas tij.

Policia e Kosovës, gjatë një aksioni të zhvilluar të shtunën i arrestoi tetë persona që dyshohen për lidhje me këtë sulm, i cili ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës jetike në Kosovë pas luftës.

Gjatë aksionit të policisë u sekuestruan mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë automatike AK47, një revole, municione të kalibrave të ndryshme, pjesë të armëve, fitila ndezës të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para në euro dhe dinarë si edhe pajisje të tjera.

Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Kosova dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar atë si akt terrorist.

(Zëri i Amerikës)