Vuçiq e cilësoi sulmin terrorist në veri si “shfaqje” të Albin Kurtit

Beograd, 1 dhjetor 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëri i hodhi poshtë akuzat e Kryeminmistrit të Kosovës, Albin Kurti, se Beogradi ka gisht në sulmin terrorist ndaj infrastrukturës jetike në Kosovë. Ai e cilësoi si “sulm hibrid” ndaj Serbisë shpërthimin në kanalin furnizues të “Ibër – Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

“Dje ka ndodhur një përpjekje për një sulm të madh hibrid. Pasi kemi ndjekur me kujdes gjithë çfarë thanë zyrtarët në Prishtinë dhe sponzorët e tyre ndërkombëtarë, të medieve të tyre dhe të atyre që paguhen mirë, ne nuk kemi dëgjuar shumë fakte”, tha Vuçiq të dielën. në një adresim publiik lidhur me këtë sulm.

Ai tha se akuzat e Kurtit nuk i ka marrë seriozisht.

“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha ai.

“Ne, si shtet serioz, nuk jemi marrë me akuzat dhe nuk kemi thënë se sulmi është urdhëruar nga Kurti. Hetimi do ta tregojë”, shtoi Vuçiq.

Ai tha se Serbia po zhvillon një hetim lidhur me këtë sulm dhe se tashmë ka “disa dyshime” dhe “disa njohuri”.

“I kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se i kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryesi”, tha ai.

Vuçiq i cilësoi si “konstruksione” deklaratat e Kurtit se kryesit e sulmit mund të jenë pjesëtarë të strukturës ilegale serbe “Brigada e Veriut”, e cila financohet nga Serbia.

Duke folur për lëndën shpërthyese që është përdorur në shpërthimin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, Vuçiq tha se është “i sigurt” se bëhet fjalë për eksploziv ushtarak serb, por shtoi se ajo “mund të jetë konfiskuar gjatë bastisjeve”, të kryera nga Policia e Kosovës në veri.

Vuçiq tha se, pas shpërthimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte kërkuar nga KFOR-i leje që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të vendosej në veri të Kosovës. Sipas tij kjo ka ndopdhur “nëntë minuta” pasi ishte njoftuar për shpërthimin.

“Po i pyes NATO-n dhe KFOR-in nëse po e them të vërtetën apo jo”, u shpreh ai,

Vuçiq i akuzoi autoritetete Kosovës edhe për arrestimin e tetë të dyshuarve lidhur me shpërthimin. Sipas tij, të arrestuarit ”nuk kishin asnjë lidhje me sulmin”.

“Gjithçka ishte një shfaqje për opinionin ndërkombëtar”, tha ai.

Presidenti i Serbisë u përpoq ta plasonte tezën se ka përpjekje që shpërthimi në kanalin e “Ibër – Lepencit” të përdoret për “ngadalësimin” e procesit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe për shpalljen e Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi, organizatë terroriste, në prag të regjistrimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Vuçiq e përdori si “argument” të pafajësisë së tij një projekt të qeverisë së Serbisë të vitit 1985 për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, gjë që do të pamundësonte akumulimin e ujit të këtij lumi në Liqenin e Ujmanit. Sipas tij, ky projekt ishte riaktualizuar edhe në kohën që ai ishte kryeministër i Serbisë, por ai e kishte kundërshtuar, me arsyetimin se ai nuk dëshironte që, siç u shpreh, “natyra të përdoret për nevoja politike”.

(r.m.)