Libri – jeta e tij

Me Peter R. Priftin në San Diego – Intervista e vitit 1995, ribotohet me rastin e 100-vjetorit të lindjes

 

Nga Vehbi Bajrami

 

SAN DIEGO (California)

Ndërkohë që bëhesha gati për të biseduar me Peter R. Priftin në San Diego (California), vështrimin ma rrëmbenin raftet e dhomës së tij plot libra. M’u kujtua në çast një aforizëm i Ciceronit: “Librat janë ushqim i djalërisë, zbavitje e pleqërisë, stoli e përparimit, mburojë dhe prehje në mundime, dritë në shtëpinë e errët, shokë ditën, natën, në ndjenja dhe në udhëtim”. Solla ndërmend vizitat dhe takimet e shumta me shqiptarë të Amerikës, një pjesë e të cilëve tepër të pasur, në dhomat e të cilëve s’gjendet një libër. (Ciceroni thoshte: “Shtëpia pa libra si trupi pa shpirt”). Sa shumë libra, përsërita me vete, nuk di për të satën herë, përzier me kënaqësi e dësh- përim të njëkohshëm. Si nuk kemi edhe më shumë shqiptarë të penës këtu në Amerikë si ky që po i kush- toj këto radhë modeste, autor e bashkautor i gjithë atyre veprave, studimeve, kumtesave e artikujve?

* * *

Peter R. Prifti, 71 vjeç, prej më shumë se gjysmë shekulli jeton në Amerikë, por, siç thotë ai, “me zemër e shpirt kam ruajtur farën shqiptare, pasi jam brumo- sur me ajrin e vendlindjes”.

Kur Prifti 15 vjeç erdhi në Amerikë nga Rehova e Kolonjës, një fshat rrëzë Gramozit, nuk ishte në një mendje me shumë moshatarë të tij, që, në plan të parë kishin përfitimin material, se si të bëheshin sa më parë të pasur. Qëkur ishte nxënës i fillores në fshat apo në konviktin e Ersekës, tek Prifti hodhi rrënjë dëshira e madhe për të lexuar e shkruar. Qysh në moshën djaloshare bëri hapin e parë duke shënuar në defterin e vogël emra të vendeve, zogjve, të lojërave në fshat e kështu me radhë. Nga ato që pat lexuar kur qe i ri i pëlqenin më tepër poezitë e Asdrenit, sidomos ato të stinëve të vitit. Shumë prej tyre i kishte mësuar për- mendësh dhe i recitonte me pasion. Djaloshit të ri i pëlqente më shumë lënda e gjeografisë, sepse ajo e nji- hte me “botën e madhe e të çuditshme, përtej horizon- tit të ngushtë të Kolonjës”. Kjo dëshirë e flaktë për të njohur botën ishte si një parandjenjë për të ardhmen e tij, meqë qysh i ri do të merrte rrugën e largët për në kontinentin e ri matanë oqeanit, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës me libër e penë në dorë.

Mësuesi i tij i parë Kostë Cere, sapo ishte kthyer nga Amerika, nga vendi ku Prifti do të emigronte me të kryer shkollën fillore, për të takuar babanë dhe vëllanë. Dy vjet para se të merrte udhën e largët me vapor, ai e pa për herë të parë Korçën, qytetin “me drita elektrike e bulevarde të gjera, me rrugët plot me njerëz, me monumente, me kinemanë, me hotelet ‘e larta’ me 3 – 4 kate”.

– Asnjë qytet në botë, as Bari, as Napoli, as New York-u nuk më bënë përshtypje aq të madhe, sa Korça,- thotë Prifti, jeta pastorale e të cilit në fshat “kishte dramat e veta, po që në përgjithësi ishte një jetë e thjeshtë dhe e mbyllur”.

Peter R. Prifti erdhi në Philadelphia në mars të vitit 1940, ku banonin babai Rafaili dhe vëllai i madh, Toli.

Gjyshja, mëma Parashqevi, vëllai i vogël Naumi dhe motra Elisaveta mbetën në vendlindje.

– Ishte një ndarje e dhimbshme, – pohon Prifti. – Nuk isha entuziast për të ardhur në Amerikë.

Në Korçë është një shesh të cilin e quajnë “Lëndina e Lotëve”, toponim ky që shpreh gjithë tragjedinë njerëzore të asaj treve dhe zonave përreth. Pikërisht aty ndaheshin me lot nga dheu i tyre kurbetçinjtë. Ishte kohë lufte. Shumë rrugë me jashtë u mbyllën. Por edhe kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, qeveria komuniste e Shqipërisë, ndryshe nga shtetet e tjera të botës që po I rihapnin rrugët që mbylli lufta, vuri edhe “një mur të dytë”, perden e hekurt. Shumë njerëz u ndanë për të mos u takuar kurrë më. Këtë fat pati edhe Prifti e familja e tij. Vapori italian me të cilin udhëtoi ishte i parafunndit nga Shqipëria që kapërceu Atlantikun gjatë Luftës. Për udhëtimin e tij të parë dhe më të gjatin në jetë me vapor, Prifti thotë se ishte shumë i vështirë, meqë “më zuri deti” dhe mendova se “nuk do të arrija i gjallë në New York”.

Peter Prifti (majtas) në moshën 3 vjeç me gjyshen Dhespina Simon Priftin dhe vëllaun Paul-in, 5 vjeç (Rehovë, 1927).

* * *

Amerika u shfaq para Peter Priftit si një botë krejt tjetër.

– Merreni me mend: të shpërngulesh nga një vend i prapambetur e të gjendesh papritur në një vend jashtëzakonisht të zhvilluar; të kapërcesh nga jeta provinciale e fshatit, tek jeta kozmopolite e një qyteti gjigand si Philadelphia! Doemos që do të hutohesh.

Mënyra e jetës në botën e re m’u duk jo normale, e cekët, e kotë dhe, si e tillë, më shqetësoi pa masë. U desh një kohë e gjatë para se ai të “pajtohej” dhe të “miqësohej” me Amerikën. Nga ana tjetër, Amerika për Priftin ishte befasuese me kulturën e përparuar, me veprat klasike të muzikës, të pikturës dhe skulpturës, të letërsisë, teatrit, etj.

– Ajo qe si një aventurë shpirtërore dhe mendore, me vlera të pallogaritshme. A e imagjinoni çdo të thotë që për 2 – 3 vjet të njihesh me muzikën e Puçinit e të Bethovenit, me veprat e Dostojevskit, Tolstoit e Molierit, me pikturat e gjenive Van Gog, Renuar e Tintoretto, – rrëfen ai.

Realiteti i ri për të ishte një përmbushje e etjes së madhe rinore për dituri dhe kulturë.

Babai i tij, Rafaili, arsimdashës, duke kuptuar dëshirën e të birit nuk u kursye për të financuar shkol- limin e tij. Madje ai ndihej krenar kur shihte pasionin e të birit për dije. “Shqiptari i brezit tim, kur erdhi në Amerikë, ishte “një copë mish me dy sy”, u tha fëmi- jëve një ditë ai, “për më tepër që s’dinte as anglishten”. Duke qenë se ai s’desh që djemtë e tij të hiqnin si ai, i dërgoi në shkollë.

Babai i Peter Priftit kishte një karakter të rrallë. Ai pat ardhur në Amerikë qysh më 1916. Në fillim, si të gjithë emigrantët e tjerë, bëri punë të rënda në një hekurudhë e më pas në restorante, derisa hapi restorantin e vet.

Prifti shkollën e mesme e kreu më 1944. Pastaj u regjistrua në “Pennsylvania State College” ku u mor më tepër me “liberal arts”: gjuhësi, letërsi, histori, psikologji, shkenca politike etj. Pas katër vjetësh u diplomua në “bachelor of arts”. Kjo shkollë, kujton ai, kishte një peisazh të bukur përreth “që i ngjante natyrës së Kolonjës e që më shuante disi mallin e fshatit ku u rrita”. Studimet i vazhdoi në “University of Pennsylvania”, një nga universitetet më të njohura në Amerikë, i themeluar më 1740. Qëllimi i tij ishte që të thellonte studimet në filozofi. Më 1955 fitoi diplomën “Master of Arts” në këtë degë.

– Filozofia më pasuroi mendjen dhe shpirtin, – thotë Prifti, – por jo xhepin, sepse nuk e përdora dot për të fituar bukën e gojës. Rrojtjen e bëra me punë të tjera. Mbase kjo është një ironi e jetës sime.

* * *

Dhjetë vjet pasi mori diplomën “master of arts”, Peter Prifti vajti në Paris për të përvetësuar gjuhën frenge në shkollën “L’Alliance Française” ku kishte studentë nga e tërë bota.

– Meqenëse nuk bëra ndonjë karrierë në studimet filozofike, – thotë ai, – m’u desh që në fillim të zë çfarë- do pune. Gjatë dy vjetëve, 1955 – 57, punova në zyrën e një shoqërie të hekurudhës në Baltimore, afër Washington-it. “Kjo punë s’është për ty”, më tha një ditë një koleg i punës. “Ti je i aftë për punë më të mira”.

Tri vjet më vonë, ai gjeti një punë më të përshtat- shme. Kryetari i Federatës “Vatra”, Kristo Thanasi e ftoi të punonte si redaktor i gazetës “Dielli” bashkë me Qerim Panaritin dhe si sekretar i Federatës. Prifti, i cili kishte filluar të bashkëpunonte me “Dielli”-n qysh nga dhjetëvjeçari 4-të (1940-ës), e priti këtë ftesë me kënaqësi, sepse “Vatra” dhe “Dielli” kishin një prestigj të madh në komunitet. Kjo edhe për një arsye tjetër: në atë kohë në Boston rronte akoma i madhi Fan Noli.

Duke punuar aty ai do të kishte rastin ta takonte e të bisedonte, ta dëgjonte kur meshonte te “Katedralja e Shën Gjergjit”, apo kur mbante fjalë në festat dhe dark- at që bënin shqiptarët. Por dhe intervista e parë që bëri Prifti për “Dielli”-n ishte pikërisht me imzot Nolin.

Kur e pyeti peshkop Nolin se cili ishte aktiviteti i tij më i vlefshëm për kombin, i qe përgjigjur: “Puna që bëra për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1920”. Për pyetjen se “cila gjë e kish dëshpëruar më shumë në jetë”, Noli kishte thënë “largimi nga Shqipëria, për arsye se ky largim i dha fund punës time brenda në atdhe”. Për ata që mendonin se feja nuk zë vendin e parë në veprimtaritë e peshkopit, ai qe përgjigjur: “Kjo nuk është e vërtetë. E nisa karrierën fetare që kur isha fëmijë dhe e kam vazhduar këtë aktivitet pa ndërprerje. Feja për mua është numri një, pastaj vijnë të tjerat”.

Peter Prifti, ruan një album me fotografi të Nolit.

Peter Prifti me vëllain Paul-in (majtas) dhe babain, Rafailin në Philadelphia më 1940.

* * *

Puna në “Vatra” P. Priftit i dha mundësinë të njihej më mirë me botën shqiptare në Amerikë, si “me mos- marrëveshjet politike dhe fetare që përçanin bashkatd- hetarët tanë”, ashtu edhe “me vlerat e çmuara kom- bëtare dhe kulturore që shqiptarët i ruanin me kre- nari”. Në gazetën “Dielli”, më 1958, ai shkruante: “Sundimi i gjatë i Turqisë në Shqipëri i kishte dobësuar tepër ndjenjat kombëtare midis shqiptarëve dhe në shumë persona i kishte zhdukur krejt. Shumë nga shqiptarët që erdhën në SHBA, as që pohonin se ishin shqiptarë, por thonin se ishin grekë ose turq. Dihet tashmë se sa e vështirë ishte për peshkop Fan Nolin dhe pionierët e tjerë të lëvizjes kombëtare n’Amerikë që të zgjonin ndjenjat kombëtare në zemrat e bashkatd- hetarëve të tyre. Ishin njerëz të thjeshtë, pa shkollë dhe pa mjeshtëri…”.

Përveç Nolit e Konicës, Prifti përmend edhe disa emra të tjerë që mbeten të shënuar në historinë e Diasporës shqiptare të Amerikës, siç janë Kostë Çekrezi, aktivist i zoti që i bëri shërbime me vlerë çështjes kombëtare.

Një emër tjetër i nderuar i Diasporës shqiptare në Amerikë, sipas Priftit është Kristo Dako, publicist dhe dashamirës i arsimit. Ai bashkëpunoi ngushtë me motrat Qiriazi që botonin revistën “Ylli i Mëngjesit”, aq e çmuar në mes shqiptarëve të Amerikës. Nga ata që janë gjallë, ai përmend Anthony Athanasin biznes- menin e suksesshëm, i cili ishte dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë kur qe redaktor e sekretar i “Vatra”-s.

Peter Prifti, 24 vjeç, vitin që u diplomua në “Penn State College” më 1949.

* * *

Tek flet për rolin e shqiptarëve të vjetër të Amerikës për Shqipërinë, Prifti shpeshherë pohon se ne duhet të mbajmë atë qëndrim që mbajtën ata për atdheun, të kemi atë dashuri e lidhje e të mos lejojmë plasaritje dhe përçarje fetare e krahinore. Për strumbullarin e bashkimit të Diasporës shqiptare, “Vatra”-n dhe organin e saj “Dielli”,-n ka shkruar disa herë. Ai është kundër atyre që thonë se “Vatra” e “Dielli” e mbaruan qëkur misionin e tyre e se tani po i ngrysin ditët e fun- dit. “Misteri” i jetëgjatësisë së “Vatra”-s për kaq vjet, lidhet me shërbimin madhështor që i bëri ajo atdheut gjatë 12 vjetëve (1912 – 1924). Me punën që bëri në atë periudhë, “Vatra” rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, aq thellë, sa nuk mund ta harronin as brezi i emigrantëve të parë, që e krijoi atë shoqatë e as brezat që pasuan vite më vonë e deri më sot. Jeta e kësaj federate është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për të, shqip- tari, dashur ose pa dashur, e lidh emrin e saj me kom- bin shqiptar, me vendin e lindjes ose të origjinës së tij.

Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjal- lë këtë federatë jetëgjatë për më se 90 vjet. Për gazetën “Dielli”, Prifti pohon se ajo përbën regjistrin më të vjetër të jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e saj është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur shkeli këmba e emigrantit të parë, e deri te ata më të fundit. Vetë ky fakt i lidh shqiptarët me “Dielli”-n e “Vatra”-n në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit në familje, apo me shokë e miq të vjetër e të paharruar.

* * *

Shumica e shqiptarëve të Jugut që erdhën në SHBA kanë pasur një brengë të vjetër: disa bashkëkombas nuk u bënë me “Vatra”-n e me Nolin, por me grekët.

– Këta shqiptarë, të quajtur ndryshe, grekomanë, kanë qenë një pakicë, – thotë Prifti. – Pjesa kryesore dhe më e shëndoshë e shqiptarëve ka qenë në përkrahje të Shqipërisë, Federatës “Vatra” dhe Nolit. Ata kanë punuar me zemër për Kishën Ortodokse Autoqefale, e cila u themelua më shumë me motiv kombëtar, se sa fetar. Kisha Autoqefale Shqiptare, e themeluar më 1908 dhe Federata Pan – Shqiptare “Vatra”, e formuar katër vjet më vonë, janë dy shtyllat që i vunë bazat lëvizjes kombëtare shqiptare në Amerikë, – thotë ai. – Por ishin disa shqiptarë që përpiqeshin të hiqnin gurët nga kjo piramidë, e cila po ngritej në një terren të shëndoshë.

Grekomanët e shihnin më me simpati Kishën Ortodokse Greke, se atë Shqiptare. Këta njerëz kishin trashëguar idetë e mykura të disa shqiptarëve të kohës së Perandorisë Otomane, të cilët vuanin nga që ishin të krishterë dhe për këtë ata simpatizonin armikun e Turqisë, Greqinë. Një arsye tjetër është se mësuesit e klerikët grekë ishin shumë të pranishëm në Shqipërinë e Jugut në fillimet e këtij shekulli. Ata përhapnin mes shqiptarëve idetë greke dhe mohimin e qenies sonë. Kështu pra, ka ndodhur që edhe sot disa shqiptarë të kenë lidhje emocionale e shpirtërore me grekët dhe u duket se ata që nuk janë të lidhur me Patrikanën e Stambollit, nuk janë ortodoksë të vërtetë.

– Ç’mendim keni ju për peshkopin Janullatos që drejton sot Kishën Ortodokse në Shqipëri? – e pyes unë.

– E kundërshtova, sapo mora vesh se ai do të jetë në krye të Kishës sonë. Nuk është as në interesin e Kishës, as në interesin e kombit tonë që një i huaj të udhëheqë Kishën Shqiptare Ortodokse, – thotë Prifti duke sjellë shembuj të shumtë nga e kaluara jonë e hidhur his- torike me Patrikanën e Stambollit.

– Ne e dimë, – shton ai – se Kisha jonë u shkatërrua gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Duhej pritur edhe ca kohë, deri sa të gjendej një peshkop shqiptar. Unë nuk pajtohem me mendimin që Kishën tonë ta drejtojnë të huajt.

* * *

Frymën e shqiptarizmës në Diaporën shqiptare të Amerikës është përpjekur ta mbajë gjallë sidomos shtypi. Që nga viti 1906, kur doli e para gazetë shqipe në Amerikë, e deri në fund të Luftës së Dytë, në SHBA u botuan 52 gazeta e revista shqiptare. Pas Luftës së Dytë, numri i botimeve ishte më i vogël. U botuan (deri më sot) 33 gazeta e revista. Sikurse është rasti tani, edhe në të kaluarën, shtypi shqiptar ka folur më shumë se në një gjuhë. Mbi 30 botime kanë qenë shtypur në shqip dhe në anglisht dhe të paktën katër prej tyre kanë botuar edhe materiale në frëngjisht e italisht.

– Sikundër shtypi i grupeve të tjera etnike në Amerikë, edhe shtypi shqiptar, në përgjithësi aspironte të përmirësonte kushtet sociale, ekonomike, edukative dhe politike të shqiptarëve, – thotë Peter Prifti. Mirëpo, ndryshe nga një pjesë e madhe e shtypit të emigrantëve të tjerë, ai i rezistoi asimilimit nga shoqëria amerikane dhe, në anën tjetër, u tregua i përmbajtur ndaj rrymave radikale dhe revolucionare të kohës. Shkurt, ai i mën- janoi të dy ekstremet. Nëse duhet përdorur një fjalë për të karakterizuar apo përkufizuar shtypin shqiptar në Amerikë, pohon P. Prifti, është fjala nacionalizëm, që nënkupton formimin dhe ruajtjen e kombit shqiptar.

Me prof. Gjon Sinishtën në San Francisco, California më 1986.

* * *

Nga biografia e pasur e protagonistit të këtij shkrimi shënojmë edhe kohën kur punoi 15 vjet në MIT (Massachusetts Institute of Technology, sektori për studime ndërkombëtare) në Cambridge, institut shumë i njohur në botë. Më të shumtën e kohës ai u muar aty me çështjen shqiptare. Këtu, në një mjedis intelektual të ngritur, ai filloi edhe veprimtarinë e vet të mirëfilltë akademike. Gjatë kësaj kohe ai shkruajti e botoi studime mbi vendlindjen e mbi ngjarjet në Kosovë. Studimet për problemet shqiptare ai i vazhdoi në San Diego të California-s, ku u shpërngul më 1976. Kjo lëvizje e tij lidhej me një projekt të Fakultetit të Gjuhës të Universitetit të California-s në këtë qytet për studimin e gjuhës shqipe. Priftin e ftuan që të punonte aty si specialist i shqipes. Puna që ai bëri bashkë me kolegët amerikanë u kurorëzua me botimin e dy librave “Spoken Albanian” (Shqipja e folur) më 1980 dhe “Standard Albanian” (Shqipja standarde), botuar dy vjet më vonë, që trajton probleme të gramatikës së gjuhës shqipe, sipas parimeve të gjuhës së njësuar.

Të dy librat u pritën shumë mirë nga kritika dhe lexuesi. Peter R. Prifti qysh nga dita kur erdhi në Amerikë, në një mënyrë ose tjetër, pa ndërprerje, mbajti marrëd- hënie të ngushta me botën shqiptare. Kur ishte në Philadelphia, ai drejtoi një radioprogram të përjavshëm në gjuhën shqipe (1949 – 55). Gjatë tërë kësaj kohe ai u muar vazhdimisht me kërkime dhe botime në fushën e studimeve shqiptare. Në listën e botimeve, vendin e parë e zë libri “Socialist Albania Since 1944” (Shqipëria socialiste që nga viti 1944) që u botua më 1978. Duke e parë Shqipërinë në kontekst të zhvillimeve politiko – ekonomike në raport me të kaluarën, ai në atë kohë konstatonte në librin e vet se Shqipëria një ditë do të shkëputet nga bota komuniste, për shkak se ajo his- torikisht ishte e lidhur me Perëndimin. Një kapitull në këtë libër, studiuesi ynë ia kushtoi Kosovës, për t’i treguar botës anglishtfolëse se “ka Shqipëri, por ka edhe Kosovë” dhe se “Shqipëria e Kosova janë një”.

Mjaft libra që janë botuar për Shqipërinë, Kosovën dhe Evropën Lindore në tri dekadat e fundit në Amerikë, përfshijnë edhe kapituj të shkruar nga P. Prifti, për çështje të ndryshme, si: marrëdhëniet ndërkombëtare, konfliktet etnike, ekonomi, ushtri, fe, letërsi e kujtime.

– Unë kam shkruar për Kosovën më shumë se për çdo gjë tjetër. Kam një dosje të ngjeshur, – thotë Prifti dhe shton: – Pavarësisht se cili është opinioni i botës për Kosovën, rruga më e mirë është që ajo të deklaro- het haptas për t’u bashkuar me Shqipërinë, sepse është pjesë e saj, është gjysma e tokës shqiptare që padrejtë- sisht u shkëput nga Fuqitë e Mëdha.

– Ky gabim tragjik duhet të korrigjohet, – konkludon ai. – Shqiptarët duhet të banojnë në një komb të bashkuar. Në këtë kënd duhet ta shohin ata ardhmërinë dhe të punojnë deri në arritjen e qëllimit. Shqipëria, për sa kohë që do të jetë e ndarë me Kosovën, e ka vështirë të ekzistojë. Këtë e tha edhe Ismail Qemali në kohën e vet. Këtë e kanë pohuar edhe shumë të tjerë, – thotë ai.

* * *

Disa nga punimet e Peter Priftit gjenden në enciklo- pedi të ndryshme të botuara në Amerikë dhe në Evropë. Një nga këto është edhe enciklopedia e famshme “Britannica”, për të cilën ai përgatiti një artikull mbi historinë e Shqipërisë. Ai ka botuar gjithashtu edhe studime, recensione të librave, repor- tazhe, intervista etj., nëpër revista akademike dhe në shtypin shqiptar dhe sidomos në gazetat “Dielli”, “Liria” në Boston dhe më vonë në “Illyria” në New York. Një pjesë e mirë e veprimtarisë së tij lidhet me përkthimet që ka bërë nga gjuha shqipe në anglisht, me qëllim që letërsia e vendlindjes të bëhet sa më e njohur në botën anglishtfolëse. Ndër përkthimet më serioze ai përmend veprat e të vëllait, shkrimtarit, Naum Prifti dhe një libër të Stavre Frashërit “Përmes Mirditës në dimër”.

Përveç përkthimeve dhe studimeve, P. Prifti ka qenë mjaft aktiv në veprimtaritë e kolonisë shqiptare në Amerikë, si në organizimin e festave kombëtare, në shfaqjen e dramave dhe filmave, në lëvrimin dhe përhapjen e folklorit e kulturës së popullit shqiptar. Ai ka marrë pjesë e ka folur në mjaft konferenca akademike si në simpoziumin për Nolin në “Harvard University” më 1982, në Konferencën për Kosovën në New York, po atë vit, etj.

Verë, 1995