Maja Kallas do të takojë veçmas Kurtin e Vuçiqin, të martën

Bruksel, 2 dhjetor n2024 – Të martën, më 3 dhjetor, në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, do të takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper, në një konferencë për media, të hënën, më 2 dhjetor, ka thënë se takimet e zonjës Kallas me Kurtin e Vuçiqin nuk do të zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Hipper u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve edhe lidhur me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit të kryer më 29 dhjetor si edhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo ka përsëritur qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si akt terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për kapjen e kryesve të sulmit dhe përballjen e tyre me drejtësinë.

Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë të martën në Bruksel takime të ndara edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ditëve të fundit, Kurti dhe Vuçiq kanë këmbyer akuza për sulmin në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Serbia mohon se qëndron prapa sulmit dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.

Autoritetet e Kosovës, gjatë operacioneve të zhvilluara tri ditët e fundijt në veriu të Kosovës, i kanë arrestuar 11 persona të dyshuar lidhur me sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe sulmeve me mjete plasëse ndaj stacionit të policisë në Mitrovicën Veriore dhe ndasj komunës së Zveçanit. Gjatë operacioneve janë sekuestruar edhe armë, municione dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit rajonin e Mitrovicës, një pjesë të Prishtinës e të rrethinës dhe termocentralet e Kosovës. Shefi e deridjeshëm i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, e ka cilësuar sulmin ndaj këtij kanali si “akt terrorist”, siç është kualifikuar edhe nga autoritetet e Kosovës.

Ky sulmi është dënuar ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

BE dhe SHBA kanë premtuar se autoriteteve të Kosovës do t’u ofrojnë ndihmë për kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të kryesve të këstij sulmi.

(r.m.)