Iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut angazhohet për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në NATO

Tiranë, 4 dhjetor 2024 – Të mërkurën në Tiranë u mbajt Konferenca e 27-të e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare dhe vëzhguese të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatiku (A-5).

Në këtë konferencë, e cila u bashkëdrejtua nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ndihmëssekretarja amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander, u diskutua për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Në Deklaratën e Përbashkët, e cila u miratua në përmbyllje t ëkonferencës, riafirmohet angazhimi i të gjitha vendeve anëtare dhe vendeve vëzhguese për të qëndruar së bashku kundër agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila e ka dëmtuar rëndë sigurinë në rajonin e Ballkanit dhe globalisht.

“Ne dënojmë, në termat më të fortë, shkeljen e dukshme të Kartës së Kombeve të Bashkuara nga Rusia dhe ndikimin e luftës së Rusisë në pjesën tjetër të botës. Ne përshëndesim popullin ukrainas për rezistencën e tij të guximshme dhe shprehim simpatinë dhe ngushëllimet tona për humbjen dhe vuajtjen e tyre”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi të përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që mbështet parimet e Kartës së OKB-së, në veçanti sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë. Mbështetja kolektive për Ukrainën konfirmon mirëkuptimin tonë të ndërsjellë se bashkëpunimi me aleatët dhe partnerët është jetik për aftësinë tonë kolektive për t’iu përgjigjur sfidave aktuale dhe të ardhshme”, thuhet më tutje në deklaratë.

Në deklaratë shprehet angazhimi i përbashkët i vendeve anëtare dhe vendeve vëzhguese për të luftuar ndikimet malinje në Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor mbetet subjekt i ndikimeve malinje, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë. Në këtë drejtim, vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirja janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të përparojmë drejt këtij qëllimi”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu shprehet intreresi i përbashkët për integrimin e të gjitha vendeve të rajonit në NATO.

“Ne ripohojmë përkushtimin tonë ndaj parimeve të SHBA-Karta e Adriatikut, duke pranuar se integrimi në NATO i të gjitha vendeve aspirante në Evropën Juglindore është një nga qëllimet kryesore të Iniciativës. Në këtë kuptim, ne mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe mbështesim aspiratat e vendeve aspirante të mbetura nga Evropa Juglindore drejt anëtarësimit në NATO, duke respektuar nevojën për dialog të brendshëm”, theksohet në deklaratë.

Në përfundim të konferencës, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në cilësinë e kryesuesit, bëri një përmbledhje të diskutimeve.

“Patëm mundësi të ndaleshim mbi ndërlikimet në ambientin strategjik të sigurisë në kontinentin europian përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Theksuam dhe njëherë rilevancën e Kartës së Adriatikut dhe çdo vendi anëtar, në mënyrë të veçantë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA në rajon”, tha ai.

Ministri Vengu tregoi se pjesë e diskutimeve të ministrave të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatiku ishte edhe sulmi i fundit në veri të Kosovës, të cilin e cilësoi si sulm hibrid:

“Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hibrid dhe një vëmendje të shtuar mori sulmi kriminal i pak ditëve më parë në Zubin Potok, ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës”, tha ai.

“Të gjitha vendet e dënuan këtë sulm të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe kërkuan sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë”, theksoi Vengu.

Në konferencë mori pjesë edhe komandantit të Komandës Evropiane të SHBA-së, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Europë, gjeneral iChristopher G. Cavoli.

(r.m.)