Moskë, 9 dhjetor 2024 – Kremlini bëri të ditur se Presidenti rus, Vladimir Putin, ia ka miratuar personalisht kërkesën për azil politik Presidentit të përmbysur të Sirisë, Bashar al-Assad.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve në Moskë, më 9 dhjetor, se Putin e ka marrë personalisjt vendimin për t’I dhënë azil Assadit dhe familjes së tij.
“Vendimet e tilla nuk mund të merren pa krerët e shtetit. Ka qenë vendimi i tij [Putinit]”, ka thënë Peskov.
Por, ai nuk ka treguar vendndodhjen e Assadit.
“Nuk kam asgjë për t’ju thënë për vendndodhjen e Assadit”, ka thënë Peskov.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, e ka cituar një zyrtar të Ambasadës së Sirisë në Moskë, të ketë thënë se Assadi është në kryeqytetin rus, por këto raportime nuk janë konfirmuar.
Regjimi i Bashar al-Assadit u përmbys në fundjavë, pas një ofensive të shpejtë të rebelëve të udhëhequr nga islamistët.
Rusia, e cila ishte aleate e Assadit një kohë të gjatë, ka thënë se Assadi është larguar ga Siria pas “negociatave” me “një numër pjesëmarrësish në konfliktin e armatosur” duke dhënë “udhëzime për transferim paqësor të pushtetit”. Por, Ministria e Jashtme ruse ka thënë se Moska “nuk ka marrë pjesë në këto negociata”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë një takim urgjent për situatën në Siri. Përfaqësuesit rusë në këtë organizatë kanë thënë se takimi do të mbahet me dyer të mbyllura.
(r.m.)