Riho Terras e dënon sulmin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, shprehet i rezervuar për ngërçin në dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë, 9 dhjetor 2024 – Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në vizitën e tij të parë në Kosovë. Gjatë qëndrimit treditor për mbledhjen e informacioneve, Terras tha se do ta vizitojë edhe veriun e populluar kryesisht me serbë. 

“Nesër planifikoj që ta vizitoj veriun e Kosovës. Aty do t’i mbaj disa takime dhe të njëjtën kohë do ta vizitoj vendin ku ka ndodhur sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit. Gjithashtu inkurajojmë autoritetet të punojnë në këtë drejtim drejt zbulimit dhe ndriçimit të këtij rasti. Të gjithë kriminelët duhet të sillen para drejtësisë. Unë jam gjeneral, dhe për të bërë një plan njëherë duhet të kem një pasqyrë të plotë të informacioneve”, tha Terras. 

Ai u shpreh i rezervuar të flasë për ngërçin në dialogun me Serbinë, që përbën ndër kërkesat kryesore për integrimin e të dyja vendeve në BE, por shtoi se Kosova ka ndërmarrë me sukses një sërë reformash. 

“Jemi këtu për ta ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova me sukses ka ndërmarrë një sërë reformash në përparimin e saj. Kjo është reflektuar në Raportin e Progresit për vitin 2024. Në cilësinë e raportuesit në Parlamentin Evropian jemi këtu për t’i përfshirë të gjitha këto arritje në Raport”, tha Terras. 

Raportuesin e ri për Kosovën të hënën e kanë pritur presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti. 

Shefi i ekzekutivit foli për domosdoshmërinë e heqjes së sanksioneve nga ana e BE-së. 

“Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosova dëshmoi përgatitjen e saj institucionale, gjersa në zbatimin e agjendës së reformave ERA II u arrit një shkallë zbatimi prej 72% nga 45% sa ka qenë në qeverisjet e kaluara, ndërsa në Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) niveli i zbatimit në vitin 2023 arriti në 66.12%. Në vijim, kryeministri bëri thirrje për largim të masave të BE-së ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e pranimit sa më parë të pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet nga ZKM-ja. 

E presidentja Osmani i kërkoi Terrasit që ndërkombëtarët të mbajnë qëndrim unik ndaj veprimeve destabilizuese të Serbisë, teksa kryetari Konjufca u shpreh se aspirata e Kosovës për integrim përkon me synimet e BE-së për zgjerim.

“Kryetari Konjufca u shpreh i bindur se përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe z. Terras si raportues për Kosovën në PE do të ecim së bashku gjithnjë e më pranë qëllimit të integrimit në BE. Në këtë takim u diskutua pikërisht rreth kësaj aspirate të Kosovës për integrim që përkon me synimin e zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian. Bashkëbiseduesit u pajtuan se ky interes i përbashkët i një Evrope sa më të fuqishme, unitare e të bashkuar dhe që garantohet nga fondamenti vleror, është një pikëmbërritje që kërkon kontribut dhe angazhim të gjithanshëm e nga të gjitha palët, por që mbetet domosdoshmëri sidomos në situatën ku na vendos kërcënimi që vjen nga pushtimi rus në Ukrainë dhe nga influencat e Rusisë në kontinentin tonë“, u tha nga Kuvendi. 

(Koha.net)

Comment

*