Uashington, 09 dhjetor 2024 – Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të hënën se ka përcaktuar ish Zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit Enver Bexhetin si persona të padëshiruar për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion.
Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se zoti Grubi dhe zoti Bexheti “morën ryshfet duke minuar proceset gjyqësore që lidheshin me dënimin e Sasha Mijalkovit, drejtor i Agjencisë për Sigurinë dhe Zbulimin të Maqedonisë së Veriut”.
Si pjesë e këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara përcaktuan si persona të padëshiruar edhe anëtarët e familjes së zotit Grubi, ish zyrtar i lartë nga radhët e partisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ish drejtori i zbulimit Mijalkov ishte shpallur person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2022 për korrupsion.
Përcaktimet u bënë sot në kuadër të shënimit të Ditës Kundër Korrupsionit. DASH njoftoi përcaktimin për 14 individë dhe familjarë të tyre nga një sërë vendesh, për përfshirje në korrupsion dhe në një rast për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Shtetet e Bashkuara po i marrin këto veprime për të nxitur llogaridhënien për personat e përfshirë në korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut në rang botëror”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
Reagime në Shkup
Zoti Grubi në një postim në Facebook tha se “si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”.
Ai tha se do të punojë me “miqtë dhe partnerët” për të zbardhur plotësisht këtë çështje, ndërsa nënvizoi se “transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”.
Bashkimi Demokratik për Integrim në një kmunikatë të shkurtër të lëshuar të marten thekson se e respekton vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit.
“Si parti, mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës”, thuhet në komunikatë.
Lidhja Social Demokrate e opozitës e përshëndeti vendimin e Departamentit të Shtetit, duke e vlerësuar si një mbështetje të fuqishme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Të gjitha dyshimet për korrupsion duhet të hetohen dhe sanksionohen pa kompromis nga organet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut”, thekson LSDM-ja.
Partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski e quajti përcaktimin e zotit Grubi dhe zotit Bexheti “një turp të madh për shtetin”. Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja thotë se ai mbante në sirtarë rastin e (ish-kreut të shërbimit sekret Sasho) Mijalkovit që dëshmon, sipas saj, partizimin e gjyqësorit.
“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në një komunikatë të VMRO-së.
Arben Taravari, drejtues i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët dhe Ministër i Shëndetësisë duket se e ka pritur me kënaqësi lajmin ndërsa shkruan në Facebook se “ka një lajm për ata të cilët po protestojnë nën çadra (para Gjykatës Kushtetuese lidhur me paralajmërimet për degradimin e gjuhës shqipe) se Artan Grubi sapo u shpall persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.
Ndërkohë, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe njëkohësisht kryetar i komunës së Tetovës shkruan po në Facebook se “sot u vulos edhe nga partnerët tanë strategjik se shumë funksionarë të BDI-së janë të zhytur në korrupsion. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Artan Grubin persona non-grata. Kjo edhe një dëshmi që kemi thënë vazhdimisht se BDI-ja po bën shou për të shpëtuar veten e tyre në çdo rast, edhe së fundi me tendat ata po mundohen të mbulojnë korrupsionin dhe aspak nuk ju bëhet vonë për gjuhën shqipe!”, shkruan ai.
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët në opozitë, krahu i zotit Ziadin Sela thotë se në vazhdimësi ka dënuar dhe denoncuar publikisht lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë. “Partia përshëndetë vendimin e fundit të SHBA-ve, partnerit më të rëndësishëm strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe popullit shqiptar”, thuhet në një reagim të lëshuar nga kreu i ASH-së, Ziadin Sela.
“Lufta kundër korrupsionit shënon një hap të rëndsishëm në sendërtimin e shtetit të së drejtës dhe ardhmërisë sonë. Ftojmë të apostrofuarit, të tërhiqën nga jeta institucionale dhe politike, e si qytetarë të lirë të përballen me akuzat.
Përgjegjësia individuale është gurthemeli i një shteti modern, i paanshëm dhe demokratik” thuhet më tej në reagimin e zotit Sela.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, shkroi në rrjetet sociale se përcaktimi i sotëm i është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohet.
“SHBA-ja do të vazhdojë të përcaktojë ata që përfshihen në korrupsionin e lartë që dëmton institucionet demokratike dhe gërryen besimin e publikut. Askush nuk është mbi ligjin dhe përgjegjësia është thelbësore për të ecur përpara”, shkroi ambasadorja amerikane.
(Zëri i Amerikës)