Nga Visar Zhiti
1.
JU SOLLËT NGA HARRIMI NJË NJERI TË MREKULLUESHËM…
Të dashur dhe të nderuar vëllezërit Lole, Edmond, Gavril, Polizoi, Dhimitër!
Jam i mallëngjyer dhe i emocionuar nga ky libër i pazakontë, që arriti larg, edhe në duart e mia, i cili nën kujdesin tuaj, idealin tuaj, dashamirësinë tuaj, shpenzimet tuaja, u bë…
Shoh që ju e keni përgatitur veprën, keni shenjuar gjurmët e një jete dhe bëtë bashkë fletoret me poezi të asaj jete, që i kishit ruajtur dhe sigurisht kanë një histori. i dërguat për botim… dhe sot përurohet libri: “Dr. Zisi Vangjeli Atdhedashuria ime”.
Një titull rilindas, do të thosha, por ç’lidhje keni ju me autorin apo është thjeshtë kushëriri i parë i babait tuaj, z. Qirjako Lole, që vdiq në burgjet politike të diktaturës, që lamë pas…
Jo, është më shumë se një lidhje gjaku a bamirësi, është amanet i pashkruar mbase, por shpirtëror, është kujtesë e përbashkët, mision, copëz e dhimbshme e të vërtetës historike, që na duhet, është poezia, është “e bukura që do të shpëtojë botën” siç thoshte një i burgosur tjetër i madh, Dostojevski, është porosi për të ardhmen, që të jetë sa më njerëzore.
Bëma juaj e bën të veçantë këtë libër, shembullor, prekës.
Mirënjohës, vëllezër, ju them si lexues.
Nga ana tjetër ky libër është i pazakonshëm se është i një autori të jashtzakonshëm. Aq sa i panjohur, po aq dhe i mrekullueshëm, Ziso Vangjeli, burrë i ditur, njihte 9 gjuhë, qëndrestar në burgjet shqiptare të diktaturës, që ende kërcënon, ndërkaq dhe hero, veteran i Luftës II botërore, por si qytetar amerikan. Krenari për të gjithë sot.
Dhe befasia për letrat tona, Ziso Vangjeli poet. Nuk dihej kjo, dhe nëse e dinte ndokush që ai shkruante fshehurazi, nuk mendohej se do të kishte mbetur gjë, ku, si, kush do të merrej me to në kohën e harresës së madhe?…
Po ja, tani kemi ndër duar 442 fletë libri, botuesi i mirënjohur “Uegen” me redaktor “Mjeshtrin e Madh”, shkrimtarin Xhevair Lleshi, na e bëri këtë shërbim.
Unë gjej lidhje të veçanta me këtë libër, sepse të veçanta i kam lidhjet me autorin, Ziso Vangjeli, por dhe me vëllezërit Lole.
Fëshfërima e fletëve të poezive të tij, ruan diçka nga e folura e tij zëulët, kur e dëgjoja në burgun e Spaçit, nga fryma e tij në ato dimra, kështu e ndjeva, kur libri më erdhi në Chicago larg, në SHBA, ku dhe Ziso Vangjeli kishte ardhur në shekullin e kaluar, mbaroi shkollën e mesme dhe universitetin dhe shkruante poezi dhe në anglisht.
Librin ma dërgonin ju, ti, Polizoi, i treti i vëllezërve, nga Franca, ku dhe Ziso Vangjeli zbarkoi si ushtar i SHBA me forcat aleate në Normandi.
Çfarë jete, si roman vërtet, një shqiptar kështu mes aventurave heroike të botës, me forcat e përparuara perëndimore!
Dhe një vit pas luftës Ziso regjistrohet në Universitetin e Sorbonës në Paris, merr gradën doktor i shkencave në letërsi, shkruante poezi dhe frengjisht, është viti 1962 dhe ai kërkon të kthehet në atdhe, kur Shqipëria kishte vendosur diktaturën më të egër në kontinent, e lidhur me Lindjen, bënte pjesë në perandorinë komuniste, ndërkohë sapo kishte prishur çdo marrëdhënie me Moskën, me shtetin më të madh të kampit, Bashkimin Sovjetik dhe po i avitej Azisë, duke bashkëpunuar me Kinën.
Së pari dërgoi librat e tij, bibliotekën e madhe siç ndodh me udhëheqësit që shkojnë në një vend tjetër, dërgojnë të tjerë më parë, vëzhguesit, rojet e fshehta a pjesë të gardës atje, pararoja dhe garda e Ziso Vangjelit ishin librat, enciklopeditë, fjalorët, historia, romanet, ia dhuroi shtetit, ia dha ambasadës shqiptare në Paris dhe ende nuk gjendet se ku ka perfunduar ajo bibliotekë.
Ziso Vangjeli donte t’i shërbente vendit tek më e rëndësishmja për shpirtin e një populli, në arsim dhe kulturë, do të vinte me dy diploma universitare të mëdha, kur ai që sundonte Shqipërinë, Enver Hoxha, s’kishte asnjë për be, dhe ata njiheshin bashkë, që në Liceun e Korçës. Kjo s’ishte dhe aq e mirë, përkundrazi, ishin më të rrezikuar ata që e kishin njohur Enverin në rini…
Pas 6 vjetësh dyshimesh, mospërkrahjeje dhe përndjekje të fshehtë, në qytetin e tij, në Përmetin, ku kishte lindur e dënojnë me 20 vjet burg me akuzën për tradhëti ndaj atdheut, kur në fakt ai nuk po kapej në kufi për t’u arratisur, por ishte kthyer i përmalluar, për të shërbyer.
Ju, vëllezër të tij dhe tanët e dini mirë, e keni njohur Zison duke e patur në shtëpinë tuaj, që fëmijë, u rrit me ju, e keni dashur, e keni mbështetur, por edhe e keni vuajtur, duke e dashur prapë pa kushte, prapë e morët në shtëpi…
Unë e njoha Ziso Vangjelin në burgun e Spaçit, ashtu truppakët, i zbardhëllemte, me dritë në sytë si të picëruar, sikur shikonte diçka që nuk e shihnin të tjerët, me një buzëqeshje plot sinqeritet dhe ironi, të përziera bashkë, edhe pse kishte bërë nja 11 vjet burg në atë kohë dhe do të bënte vite e vite të tjera.
Kisha kërshëri, kur më thanë ç’ishte ai… Shiheshim ndër rreshta, e përshëndesja, do t;e doja t:e rrija më shum;e me të, por punoja në minierë si skllav, me turne, kohë s’kishim dhe koha s’ishte jona…
Më vjen mirë që në burgologjinë time, në librin për Spaçin, “Rrugët e ferrit” kam dhe Ziso Vangjelin, arrita të them diçka për atë, ribëra një bisedë tonën, që pati jehonë dhe u përhap ndër lexues për kumtin që mbart. Dhe mbeti si një profeci për rënien e komunizmit dhe për sundimtarët e mëpastajmë, për hibridin e tranzicionit, ku doktrina e dhunës për një botë të re, do të zvetënohej në idealin e parasë dhe do të bëhej kështu karikatura e frikshme e etërve mizore te bijtë në demonkraturë, etj, etj.
Unë do të thosha se idetë e tij, vizionet, dija,, kundërshtitë, guximi janë shpalosur gjerë në monografinë “Intelektuali i madh i një qyteti të vogël”, e studiuesit dhe historianit Xhafer Sadiku, të cilin ju, vëllezër të dashur, e citoni me nderim. Ai solli nga jeta e tij.
Kurse ju me librin e poezive sollët nga shpirti e tij, natyrisht dhe ide e vizone, se edhe ato copëza jete janë. Dhe po e përuroni librin në Beratin e bukur, ku edhe vetë Ziso Vangjeli jetoi ca kohë. Por sot ai s’është me ju, s’vjen dot…
Pranoni përshëndetjet e mia për këtë veprimtari nga larg, por dhe nga afër, nga zemra, nga Çikago, në SHBA, ku pas rënies së perandorisë komuniste erdhi sërish Ziso Vangjeli si veteran i Luftës II Botërore i këtij vendi të madh, si dhe Zoti deshi t’i mbyllur sytë atje përgjithnjë.
Dhimbje, që vendi që e lindi, e nëpërkëmbi jetën e tij dhe nuk pati as vdekjen e tij.
Por ju, vëllezër të dashur, nëpërmjet poezisë ringjallët shpirtin e tij. Janë vargje të ngrohta, me vlagën e dheut amë, me atë thjeshtësi si këngët e popullit, me frymë naimjane, i këndohet vendlindjes, Përmetit:
Edhe gurët s’harroj,
Kot më joshin gjithë botët
i këndohet dijes, shkollës me dashuri prej f:emije:
Mëndesh’ të Parë, pas mëmës sate,
Mëonjëtoren vogëlushe pate…
.
Heronjve si Mihal Gramenos:
Takojen qendisur, pak mënjënë vënë
Ala Garibaldi mbi sy të kish rënë
Poezi për Naimin, Ismail Qemalin, Dora D’Istrias, Skënderbeun patjeter, etj, poezi për mallin, trishtimet, dashurinë, zhgënjimet, vuajtja janë gurra të poezisë së tij dhe shfaqen hija e policit, “që ndjek atdhetarin/ E ç’përbindësh e ka fryer?” – dhe pyetja është si akuzë. Ka vargje për hetuesin, “një si bishë e egërsuar” – e quan, por i thotë vetes dhe të gjithëve ne:
Në stihu qëndro si burrë
Dhe stuhishëm bëji ballë.
Ka poezi për demokracinë, Republikën, Kosovën e shkon në Francë, poezi për Viktor Hygoin, Shekspirin në Angli, Gëtes e Shilerit e Bethovenit në Germani, shkencëtarëve, mbërrin thellë në Rilindjen europiane, Dante, i afrohet antikitetit grek, etj, dhe kthehet në SHBA, poezi e presidentëve emblematikë, Franklin:
Qiejve u rrëmbeve rrufenë
Edhe tiranëve skeptrin…
apo Linkolnit: “Plumbi s’të vret Linkoln, mjer’ ai që vrau”, etj, etj
Një udhëtim marramendës, aq sa jashtë vetes, edhe brenda vetes dhe m’u ndërmend, kur donim të dënim me bashkëvuajtësit në ferr se çdo të thoshte emri Zisi, po ja në greqishten e vjetër do të thotë “jetë”, ndërsa mbiemri Vangjeli do të thotë “lajmëtar i së mirës”.
Dhe ai vërtet i mbart këto të dyja emblematikisht, një jetë plot jetë, me të gjitha.
Dhe ju, vëllezërit Lole, u bërë si mbiemri i njeriut tuaj, i Zisi Vangjelit tonë, lajmëtarë të së mirës.
Faleminderit!
Chicago, 9 dhjetor, 2024
2.
ZBARKUESI NË TË ARDHMEN
Nxjerrë nga “Rrugët e ferrit”
Duke mos bërë dot të marrin, zgjodhëm injorantin. Pa qenë të mençur, ushtrojmë dinakun.
Ne nuk e kemi të shkruar strategjinë tonë kombëtare. Rilindësit tanë ishin më me vizion dhe bënin programe, manifeste, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Tani s’dimë ç’duam e ç’bëjmë. Ndërtojnë komunizmin duke shkatërruar atdheun. Po bëjmë Shqipërinë e re, thonë, por nuk shpiket Shqipëria, ajo është. Bëj një herë veten tënde! Ju sollëm (atë që s’e kanë as vetë), lirinë, u thonë shqiptarëve robër, të burgosur. Ku ka të ardhme, kur vritet e tashmja?
Nga përtej po zbriste shkallët burri truppaktë, sikur ta kishte rrëgjuar një kumt i përtejmë. Me një shqetësim të tillë të gjithmontë, që askush nuk e meritonte t’ia dorëzonte, endej i qetë. Jo dhe aq plak, i përëndërrt. Dhe veshët si dy gjethe të mëdha, patjetër që duhej t’i kishte rrasur trojeve të lashta, herë njërin dhe herë tjetrin për të dëgjuar zërat. Ka dhe gumëzhima nga poshtë. Pastaj shkojnë lart. Ziso Vangjeli, historian dhe ushtarak, gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Punoi në Paris, pastaj në një klub kulturor dhe iu shkrep të kthehej. Sëmundja e dashurisë për atdhe? – e pyeta. Mbase, por je më i sëmurë pa të. Do të punonte si pedagog. Ia fali shtetit gjithë bibliotekën e vet dhe pastaj përfundoi në burg. “Kur të bjerë ‘komunizma’, – thoshte, – se do të bjerë ‘patjatër’, ne do të vuajmë më pas prej hibridit me ‘decenjë’… Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit…” Bijtë e të kuqve do të vijojnë baballarët. Ajo përzierje adhurimi, zelli dhe inati, herë e fshehtë e herë e hapur për baballarët e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë e më të ligj, pa besuar në përjetësi, pra në asgjë. Satanas do të thotë kundërshtar. Edhe pse i urrenin për vdekje, nga kundërshtarët e tyre do të vjedhin “idealizmën”, “pllanet”, “të thënat” e do t’i propagandojnë si barbarë për t’i vënë ata në jetë, kinse si amanete. Dhe do t’u duhet të zhdukin të zotërit e këtyre ideve. Do të lakmojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj, që dora-dorës do t’u bjerë ngjyra e kuqe, për së jashtmi, dhe kundërshtarët do të bëjnë sikur do t’i durojnë. Do të kërkojnë të bëhen ata pronarë dhe, që t’ia arrijnë, me zulm do të bëjnë atë politikë që etërit e tyre e “lëftuan” gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur pas kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, ç’papërvojë do të kenë? Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata. Do të jetë më keq ca kohë. Liria e detyruar është burg, por i hapur. Kaos dhe pasiguri. Unë nuk do të jem atëherë. Ju do të jeni, ti, shefi i policisë, jeni të rinj. Kujtomë, ti, ti, mbamë mend. Po nuk kujtove, ke për të qenë satana si ai. Si satanai, si shefi i policisë? Të të kundërshtosh pa u kuptuar si i tillë.
* * *
…nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kundër njeriut… – thashë me vete dhe u çudita me zbulimin tim dëshpërues…