Shtyhet seanca e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 11 dhjetor 2024 – Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.

Në këtë seancë, për të cilën do të vendoset se kur do të mbahet, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët.

Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.

Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.

Në hapjen e seancës të mërkurën, gjykatësi Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozimi u hodh poshtë me votim, dhe pas kësaj gjykatësi Skënderi lëshoi seancën.

Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin.

Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike.

Bojkotin nga ana e gjyqtarëve shqiptarë e kishte përmendur më herët, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut që vjen nga radhët e VLEN-it. Me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.

“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor duke siguruar se “ligji nuk do të preket”.

Njerëzit embledhur para Gjykatës Kushtetuese në Shkup ku ishte paraparë të mbahej seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, që udhëheq me Frontin Evropian, deklaroi para njerëzve të mbledhur se data e 11 dhjetorit 2024 i rikujton periudhën e vitit 1989, kur, sipas tij, “Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës”.

“Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre. Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti, pas vendimit, duke shtuar se paqja nuk duhet të cenohet, dhe vendimet e Kushtetueses nuk duhet të merren në mënyrë të njëanshme.

BDI-ja edhe më herët ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë ai mund të bëhet i pazbatueshëm.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Para Gjykatës Kushtetueses në Shkup të pranishëm janë edhe liderë të tjerë të Frontit Evropian në opozitë, si Zijadin Sela, lider i njërit fraksion të Aleancës për Shqiptarë, si dhe një numër i madh qytetarësh dhe simpatizantësh partiakë.

Çfarë është Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene.

Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë.

Sikurse presidenti Ivanov, edhe opozita e cilësoi ligjin si antikushtetues.

Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet.

Megjithëse VMRO DPMNE-ja e kontestonte thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij, tani kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vjen nga kjo parti, theksoi se “nuk do të ndodhë asgjë” dhe siguroi se situata është “nën kontroll”.

“I lus bashkëqytetarët shqiptarë, maqedonas të gjithë, të jenë të qetë. E gjithë puna është nën kontroll, gjithçka është nën kontroll, të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi të martën Mickoski.

Më herët, ai kishte thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy a tri dispozita”.

Çka po kontestohet?

“Iniciatorët kundërshtojnë tërësinë e Ligjit nga aspekti i Amendamentit V të Kushtetutës, sepse zgjeronte kornizën kushtetuese të dhënë në këtë amendament në lidhje me përdorimin e gjuhëve të komuniteteve joshumicë dhe përcaktonte barazinë e një gjuhe tjetër që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve, me gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, thuhet në raportin përmbledhës të Gjykatës Kushtetuese për atë që është objekt i kundërshtimit të 13 nismave.

Rrjedhimisht, nenet apo pjesët e neneve për të cilat propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Cilat janë këto vërejtje?

Në vitin 2019, Komisioni i Venecias kishte dhënë vlerësim për Ligjin për gjuhët, duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave.

Komisioni kërkoi:

Rishikimin e dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë.

Masa për zbatimin efikas të kërkesave gjuhësore, bazuar në dispozitat e Ligjit të mëparshëm të vitit 2008, për të garantuar zbatueshmërinë e tyre pa krijuar konfuzione, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë.

Revidimin e nenit 3 të Ligjit për gjuhët, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimet institucionale dhe fusha të tjera, duke kërkuar një përcaktim më të qartë të fushës së zbatimit për të shmangur keqkuptimet dhe konfliktet në praktikë.

Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses

Ngjashëm sikurse 13 inicativat e lartpërmendura, mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur, cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse, siç thuhet, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”.

Ata përkujtojnë se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Balancuesi, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*