Drejtori i FBI-së Chris Wray do të japë dorëheqje para kthimit të Trumpit

Uashington, 11 dhjetor 2024 – Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Chris Wray do të largohet nga posti në fillim të vitit të ardhshëm, njoftoi të mërkurën FBI-ja. Dorëheqja e tij vjen pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka sinjalizuar se synon ta shkarkojë zyrtarin veteran dhe ta zëvendësojë atë me përkrahësin e tij Kash Patel.

Zoti Trump vet e kishte emëruar drejtorin Wray nga radhët e republikanëve, për të shërbyer me një mandat 10 vjeçar, pasi shkarkoi paraardhësin e tij, James Comey, me të cilin si president i atëhershëm kishte marrëdhënie jo të mira për shkak të hetimeve që FBI-ja kishte bërë mbi kontaktet e dyshuara ndërmjet ekipit të fushatës së tij në vitin 2016 dhe Rusisë.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm javët e fundit, kam arritur në përfundimin se vendimi i duhur për Byronë është që unë të shërbej deri në fund të mandatit të kësaj administrate në janar dhe pastaj të largohem”, u tha drejtori Wray punonjësve të kësaj agjencie, sipas një deklarate për mediat.

Në një deklaratë për agjencinë Reuters, i emëruari i zotit Trump, Patel tha se mirëpret një “tranzicion të rregullt”.

“Do të jem gati për t’i shërbyer popullit amerikan që nga dita e parë”, deklaroi ai.

Zoti Trump dhe aleatët e tij të vijës së ashpër u kthyen kundër zotit Wray dhe FBI-së në përgjithësi, pasi agjentët e saj ndërmorën një bastisje të miratuar nga gjykata ndaj residencës së zotit Trump në Florida në vitin 2022, për të marrë dokumentet e klasifikuara që ai i mori me vete pasi e kishte përfunduar detyrën.

Ky veprim nxiti njëri nga dy raste nga prokuroria federale me të cilat u përball zoti Trump pas përfundimit të mandatit, por për asnjërën nga to nuk filluan procedura gjyqësore. Zoti Trump mohoi të ketë bërë ndonjë shkelje dhe i cilësoi rastet kundër tij si të motivuara politikisht. Prokurorët federalë i përmbyllën hetimet pas zgjedhjes së tij president, duke iu referuar një politike të Departamentit të Drejtësisë për të mos e ndjekur penalisht një president në detyrë.

Aleatët republikanë të zotit Trump iu bashkuan atij duke akuzuar FBI-në se ishte politizuar, ndonëse nuk ka dëshmi se Presidenti demokrat Joe Biden bëri ndërhyrje në proceset hetimore.

“Ka probleme serioze në FBI. Publiku amerikan e di. Ata presin të shohin ndryshime rrënjësore”, deklaroi në fillim të dhjetorit Senatori republikan Bill Hagerty, pasi zoti Trump emëroi zotin Patel.

Gjatë mandatit të tij, drejtori aktual Wray tha se ka vepruar në bazë të ligjit dhe se është përpjekur që të kryejë detyrën si drejtues i FBI-së në mënyrë të paanshme. Gjatë një seance dëgjimore para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve ai hodhi poshtë idenë se po ndiqte një agjendë partiake demokrate, duke thënë se tërë jetën e tij kishte qenë republikan.

“Ideja se unë po tregoj njëanshmëri kundër konservatorëve më duket një çmenduri, duke patur parasysh të kaluarën time”, deklaroi zoti Wray.

Mandati i zotit Wray skadonte në vitin 2027.

Javët e fundit, ndërsa i jep formë kabinetit, zoti Trump ka grumbulluar rreth vetes një ekip të gatshëm të zbatojë dy prioritetet e tij kryesore: të hakmerret ndaj armiqëve të tij politikë dhe të bëjë një transformim të plotë të qeverisë amerikane.

Zoti Patel, i cili duhet të konfirmohet nga Senati amerikan, kurrë nuk ka punuar në FBI dhe ka vetëm tre vite përvojë në Departamentin e Drejtësisë në fillim të karrierës së tij në sektorin e kundër-terrorizmit në kuadër të divizionit për sigurinë kombëtare. Nëse emërimi i tij konfirmohet nga Senati, ai është zotuar se do ta mbyllë selinë e FBI-së në Uashington dhe do ta ndryshojë në mënyrë drastike rolin e byrosë në mbledhjen e informacioneve të zbulimit.

Gjatë mandatit të parë, zoti Trump vazhdimisht ka folur për idenë për ta zëvendësuar zotin Wray me arsyetimin se ai nuk ishte i përkushtuar sa ç’duhet për ta mbrojtur atë nga hetimet e vitit 2016, por ish Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr u rezistoi përpjekjeve të tilla, siç shkruan ai në librin e tij.

Në fjalimin e tij para punonjësve të byrosë, zoti Wray i nxiti ata të vazhdojnë të përqëndrohen në misionin për t’i mbajtur amerikanët të sigurtë.

“Qëllimi im është ta mbajmë fokusin tek misioni ynë – në punën e palodhshme që ju e bëni për amerikanët çdo ditë”, deklaroi zoti Wray.

“Sipas këndvështrimit tim, kjo është mënyra më e mirë për parandaluar problemet për byronë, ndërkohë që përforcojmë vlerat dhe parimet që janë aq të rëndësishme në punën që ne bëjmë”.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*