Prishtinë, 12 dhjetor 2024 – Qeveria e Kosovës njoftoi se Kryeministri Albin Kurti është ftuar në Prokurorinë Speciale më 16 dhjetor, në cilësinë e dëshmitarit, por nuk tregoi se për cilin rast është e nevojshme dëshmia e tij. Por, në thirrjen që i është dërguar Kurtit thuhet se dëshmia ka të bëjë me një rast që lidhet me një vepër penale të paraparë në nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës, që ka të bëjë me veprën pebale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në këtë prokurori ftesa për dëshmi ka të bëjë me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Çështja e rezervave shtetërore u bë temë e ditës në gusht të vitit 2023, ur u ngritën dyshime për keqpërdorim të tyre. Mediet ë Kosovë raportuan se në rezervat shtetërore të Kosovës nuk kishte arritur as vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni dhe as gruri i kontraktuar në Turqi.
Këto dyshime çuan në arrestimin e drejtuesit të operatorit ekonomik që e kishte fituar tenderin për blerjen e mallrave të rezervave shtetërore dhe të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që udhëhiqet nga ministrja Hajdari.
Ministrja Hajdari i hoshi poshtë pretendimet. Ajo tha se blerjet për rezervat shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, me arsyetim se informacionet e kësaj natyre përbëjnë sekret shtetëror. Hajdari e akuzoi policinë se, gjatë bastisjeve, kishte marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kryeministri Kurti i doli në mbrojtje ministres Hajdari.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.
Këshilli Prokurorial i Kosovës reagoi ndaj kësaj deklararte dhe I bëri thirrje Kurtit “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese” për organet e drejtësisë.
Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, ministrja Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale të Kosovës nën dyshimet se ajo e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore. Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.
Opozita e kërkoi dorëheqjen e ministres Hajdari, por ajo e hodhi poshtë mundësinë e dorëheqjes duke qenë e sigurtë se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që të pritet epilogu i rastit.
Radio Evropa e Lirë bëri të ditur se në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka pyetur deri ku kanë arritur hetimet lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk i është përgjigjur interesimit të medieve se për cilin rast është ftuar të dëshmojë Kurti në prokurori. Por, të martën, kur njoftoi për arritjen e ftesës së prokurorisë për kryeministrin Kurti, e cilësoi atë si ndërhyrje të sistemit të drejtësisë në procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi Kryeziu në Facebook.
(r.m.)