Osmani takon në Washington D.C. senatorin Tillis dhe kongresistin Sessions

Uashington, 12 dhjetor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në Faceboook, Osmani ka njoftuar se ajo ka arritur në Washington D.C., ku ka zhvilluar një takim me senatorin republikan Thom Tillis dhe me kongresistin republikan Pete Sessions. 

“Kënaqësi të takohem sot me senatorin republikan Thom Tillis me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë e Ballkanin Perëndimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit drejt ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë.

Paqja dhe siguria e qëndrueshme janë parakusht për prosperitet e zhvillim. SHBA-të kanë qenë dhe mbeten të përkushtuara për të ndihmuar për t’i ruajtur dhe avancuar ato në Kosovë., ka shkruar Osmani pas takimit me senatorin Tillis.

Presidentja Osmani ka thënë se kongresisti Sessions, të cilin e ka quajtur mik të shqiptarëve, ka konfirmuar përkushtimin për bashkëpunim të rregullt në dobi të paqes e sigurisë.

“Pas takimit të para disa muajve më parë në Teksas me kongresistin republikan Pete Sessions, vijuam me një takim e diskutim shumë të mirë edhe në Washington D.C.

Kongresisti Sessions, një mik i shqiptarëve në Teksas e jo vetëm, konfirmoi përkushtimin e plotë për bashkëpunim të rregullt në dobi të paqes e sigurisë së shtuar, gjithnjë duke luftuar e parandaluar përpjekjet e akterëve malinj për më shumë kaos dhe jostabilitet”, ka shkruar ajo.

May be an image of 2 people

Presidentja Osmani ka thënë se ajo do të zhvillojë takime edhe me anëtarë të tjerë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, para se të shkojë në Rhode Island, ku do ta mbajë fjalimin kryesor në Simpoziumin e 11-të Vjetor të “United States Naval War College”.

(r.m.)

Comment

*