Zagreb, 13 dhjetor 2024 – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Të gjitha kushtet për shtetësi dhe njohje të plotë ndërkombëtare të Kosovës janë përmbushur dhe veçanërisht Kosova duhet të njihet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë këtë”, ka thënë Milanoviq, pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Zagreb të premten.
Ai shtoi se Kosova ka mbështetjen e plotë të Kroacisë në rrugën drejt anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Milanoviq po ashtu ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm sepse do të nënkuptonte stabilitet më të madh në Evropën Juglindore. Ai ka thënë se kjo është edhe në interesin kombëtar të Kroacisë.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se kryeministri Kurti dhe presidenti Milanoviq, në takimin e tyre, kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Kroacisë, për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe të mbrojtjes dhe për çështje të tjera me interes të dyanshëm.
“Kryeministri Kurti dhe presidenti Milanoviq i trajtuan edhe zhvillimet e fundit, përfshirë ato në rajon. Kryeministri e njoftoi me detajet e sulmit terrorist të 29 nëntorit në Zubin Potok që për cak kishte infrastrukturën kritike. Ai ndau me të veprimet e menjëhershme që institucionet e vendit ndërmorën për të sanuar dëmin dhe për të evituar pasojat e rënda mbi popullatën civile që kishte për qëllim sulmi, si dhe materialet e konfiskuara nga Policia që përfshijnë armatim, uniforma dhe emblema të ushtrisë, shumica dërrmuese prej të cilave janë të Serbisë dhe 20 tjera të Rusisë, të cilat japin indikacione për përfshirje të aktorëve të jashtëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Para takimit me Presidentin Milanoviq, Kryeministri Kurti është takuar me kryeministrin Andrej Plenkoviq dhe me kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.
(r.m.)