Tetë policë të lënduar në aksidentin e autoblindës së policisë në veri të Kosovës

Prishtinë, 13 dhjetor 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se 8 policë janë lënduar në aksidentin e një autoblinde të policisë në fshatin Grabovc, në pjesën veriore të Kosovës, të premten në mbrëmje.

Në njoftim thuhet se policët e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore. 

Autoblinda e Policisë dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.

Zëvendës-drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se autoblinda e policisë ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.

“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar, në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës”, ka thënë Elshani.

“Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime dhe të njëjtit janë dërguar nga ekipet mjekësore në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, ka thënë ai.

Elshani ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore kompetente për të kryer hetimet lidhur me aksidentin.

Portali Kossev raporton se rruga Mitrovisë – Leposaviq është liruar për qarkullim pas njëfarë kohe që ishte e bllokuar.

(r.m.)

Comment

*