Tel Aviv, 14 maj 2021 – Të premten Izraeli ndërmori sulme të gjera ajrore dhe me artileri ndaj një rrjeti tunelesh nëntokësore që ndodhen në Gaza, në të cilat strehohen militantë palestineze. Intensifikimi i sulmeve vjen si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme me raketa ndaj qyteteve izraelite.
Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit, nënkolonel Jonathan Conricus tha se ky është operacioni më i madh kundër një objektivi specifik që nga fillimi i konfliktit, gjatë të cilit u përdorën 160 avionë, tanke e artileri.
Kjo shënon ditën e pestë të përpjasjeve më të ashpra mes Izraelit dhe militantëve të Gazës që nga viti 2014.
Grupi militant i Hamasit i nisi sulmet me raketa ndaj Jeruzalemit dhe Tel Avivit si hakmarrje ndaj përplasjeve të policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa në Jeruzalem.
Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë të paktën 119 persona janë vrarë në Gaza, mes tyre 31 fëmijë dhe 19 gra, ndërsa 830 të tjerë janë plagosur.
Autoritetet izraelite thanë se numri i të vdekurve në Izrael vazhdon të mbetet në tetë, mes tyre një ushtar që patrullonte kufirin e Gazës, gjashtë civilë izraelitë, përfshirë dy fëmijë dhe një punëtor indian.
Kreu i Gjykatës Penale Ndërkombëtare paralajmëroi se personat e përfshirë në akte që kanë shkaktuar gjakderdhje mund të jenë shënjestër e hetimeve për krime të dyshuara lufte.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se kishte raportime për më shumë se 200 objekte strehimi të shkatërruara apo të dëmtuara rëndë dhe se qindra njerëz po përpiqeshin të strehoheshin në shkolla në veri të Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se fushata “do të kërkojë më shumë kohë”.
Zyrtarët izraelitë thanë se përpara çdo armëpushimi, i duhet dhënë një goditje e fortë frenuese Hamasit, grupit më të fuqishëm militant islamik të Gazës.
Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje të enjten për ulje të tensioneve dhe tha se donte të shihte një reduktim të ndjeshëm të sulmeve me raketa.
(Zëri i Amerikës)