Prishtinë, 16 dhjetor 2024 – Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është paraqitur në Prokurorinë Speciale dhe ka dëshmuar poër rastin penal për të ciluin është ftuar.
Berisha, në një postim në Facebook, ka shkruar se ai e ka parë me sytë e tij.
“Çka nese u them se kryeministri Kurti sapo e kreu intervisten ne Prokurorine Speciale te Republikes se Kosoves, a ma besoni a jo?! Nejse, mos i ngjitni fjale djalit se me syte e mi e pash. Institucionalist se c’ke me te”, ka shkruar Berisha.
Vetë Kurti as nuk e ka pohuar dhe as nuk e ka mohuar këtë. Ai i është shmangur pyetjes së gazetarëve se a është paraqitur në prokurori apo jo.
“Do të shkoj në orën 19:30 në një koncert në Sallën e Kuqe”, u ka thënë ai gazetarëve, duke dalë nga promovimi publik i librit “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën 1945-1999”.
Kryeministri Kurti nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës sot (e hënë) në orën 9:30, kur ishtëe ftuar nga prokurorët e rastit penal.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se prokurorët e rastit ishin njoftuar nga Kabineti i Kryeministrit se Kurti gjendej në udhëtim jashtë vendit, kështuqë e kishte të pamundur të paraqitej në prokurori.
“Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër., ka thënë Kozmaqi.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kurti e kishte shprehur gatishmërinë t’i presë në zyrën e tij prokurorët e rastit në hetim.
“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët, për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka deklaruar Kryeziu.
Kjo deklaratë është pritur me kritika të forta të opozitës, e cila ka thënë se Kurti, duke shpërfillur organet e drejtësisë, dëshmon prirjet e tij për të qenë mbi drejtësinë.
Prokuroria nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri. Por, mediet në Kosovë, duke iu referuar burimeve brenda prokurorisë, kanë raportuar se Kurti është ftuar si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore. Ky rast ka nisur në gusht të vitit të kaluar, kur disa persona u arrestuan nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Bastisjet dhe arrestimet u kryen pas publikimit të disa audio-incizimeve të cilat pretendojnë se vaji dhe gruri i kontraktuar dhe paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës nuk kishin arritur kurrë.
Ministrja e atëhershme e Industrisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se blerjet për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.
Kurti e kishte mbrojtur Hajdarin, duke deklaruar se “nuk ka kurrfarë korrupsioni apo keqpërdorimi”.
(r.m.)