Në rajonin e Strugës dhe Gostivarit arrestohen katër të dyshuar për veprimtari terroriste

Shkup, 16 dhjetor 2024 – Policia maqedonase njoftoi se i ka arrestuar katër persona të dyshuar për veprimtari terroriste. Arrestimet janë kryer në rajonin e Strugës dhe të Gostivarit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se “shërbime të huaja” kanë ndihmuar me dhënien e informacioneve për aktivitetin e grupit, i cili ka qenë për një kohë më të gjatë nën vëzhgimin e autoriteteve policore.

“Bëhet fjalë për një celulë, e cila përpiqej të rekrutonte shtetas të tjerë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa kishte vendosur kontakte me grupe ekstremiste jashtë vendit”, tha ai.

Sipas ministrit Toshkovski, personat e arrestuar që dyshohen për lidhje me organizatën terroriste ISIS synonin të blinin armë, municione dhe mjete shpërthyese, por nuk kanë qenë në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Toshkovski nuk e zbuloi identitetin e të arrestuarve. Por, ai tha se gjatë kontrolleve në shtëpitë dhe pronat e të arrestuarve janë gjetur materiale të shkruara në gjuhën arabe dhe në gjuhën shqipe, gjë që shpie në përfundimin se të arrestuarit janë pjesëtarë të komunitetit shqiptar.

Autoritetet nuk dhanë më shumë informacione rreth këtij grupi, ndërsa Agjencia për Sigurinë Kombëtare dhe ministri Toshkovski thanë se ka dëshmi të mjfatueshme “për organizimin e ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen të cilat do të mund ta rrezikonin sigurinë e vendit por dhe të shteteve të tjera”.

(r.m.)

Comment

*