Osmani: BE-ja është e padrejtë me Kosovën. Masat ndaj Kosovës janë joevropiane

Bruksel, 18 dhjetor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë e ashpër ndaj Bashkimit Evropian.

Para fillimit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor, në Bruksel, duke iu referuar mosheqjes së masave ndaj Kosovës, ajo ka thënë se s’mund ta fshehë zhgënjimin se si po trajtohet Kosova nga disa shtete anëtare të BE-së. 

“Të jem e sinqert, jam e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po i bëhet nga disa shtete anëtare të BE-së. Nëse pyetem përse, atëherë qartë arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë ende në fuqi dhe, siç kemi parë në konkluzat e Këshillit, nuk do të hiqen as në dhjetor. Janë të padrejta e joevropiane. S’ka asgjë evropiane e nuk ka asgjë të bazuar me vlerë të ndëshkohen njerëzit edhe në projekte si uji i pijshëm. Jam këtu për të falënderuar dy të tretat e shteteve anëtare që përkrahën heqjen e masave e ato tjerat t’i pyesë se çfarë është evropiane të ndëshkosh 1.7 milionë evropianë që jetojnë në Kosovë, në shtetin më pro evropian në botë me 97 për qind që besojnë në rrugën tonë evropiane”, ka thënë Osmani para mediave.

Ajo ka thënë se Kosova ka rreshtuar qind për qind politikën e jashtme të saj me atë të BE-së dhe ka qenë e para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë. 

“E njerëzit tanë mbesin të ndëshkuar, ndonëse ne plotësuam gjitha kushtet që kërkoi BE-ja. Po ashtu kemi mbi dy vjet që kemi aplikuar për anëtarësim, e aplikimi ynë është ende diku në sirtar e nuk është rishikuar”, ka thënë Osmani. 

“Sa i përket reformave e vlerave, jemi të parët në rajon, madje edhe para disa shteteve anëtare të BE-së. Por, te disa shtete anëtare s’po shohim vullnet politik të nevojshëm për të na përkrahur në rrugën tonë evropiane”, ka theksuar ajo.

Osmani ka thënë se në këtë momentum të zgjerimit të BE-së duhet përfshirë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa procesi duhet të jetë i bazuar në merita.

Ajo i ka uruar Shqipërinë dhe Malin e Zi për përparimin e madh në rrugën e integrimeve evropiane dhe ka theksuar se “gjuha positive” e BE-së ndaj Serbisë po jep mesazh të keq në rajon, veçanërisht në Kosovë. 

“Mesazhi që marrim, veçanërisht njerëzit në Kosovë, është se sa më shumë të rreshtohesh me Rusinë, me Iranin dhe me Kinën aq më shumë bën përparim dhe hap klastere të reja e mbyll kapituj në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa nëse je një qind për qind e rreshtuar me BE-në, atëherë s’ka përparim. Ky nuk është proces i bazuar në merita”, është shprehur ajo.

Presidentja e Kosovës ka thënë se BE-ja hap kapituj të rinj me Serbinë, ndonëse Beogradi nuk ka dhënë përgjegjësi për agresionin dhe sulmet terroriste të bandave serbe në Kosovë.

“Agresioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj Kosovës është kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare e kundër vlerave të fqinjësisë së mirë që janë vlera të BE-së. Muajin e kaluar patëm sulm ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë nga bandat serbe, që kishin synim të linin 70 për qind të popullit të Kosovës pa ujë, pa energji dhe pa ngrohje në dimër. Ky sulm gjason me sulmet ruse në Ukrainë në mes të dimrit. Ndonëse ndodh kjo dhe Serbia s’jep përgjegjësi për agresionet e vitit të kaluar në Kosovë, ajo po shpërblehet dhe po bën përparim të madh në hapjen e kapitujve të rinj. Politika që është e bazuar në merita duhet të aplikohet për gjithë rajonin”, ka thënë ajo. 

“Të ulesh në dy karrige njëkohësisht dhe të ndihmosh Rusinë në luftën në Ukrainë nuk i kontribuon paqes e stabilitetit në rajon e përtej. Nuk mund të flasim për paqe e stabilitet në Evropë, pa paqe e stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Shteti që vazhdimisht rrezikon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor e rrezikon stabilitetin edhe në kontinentin e Evropës”, ka shtuar ajo. 

Osmani ka thënë se Kosova e ka hamonizuar qind për qind politikën e jashtme të saj me atë të BE-së dhe ka qenë e para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë.

(r.m.)

Comment

*