Von der Leyen: Komisioni është i gatshëm të jape opinionin për Kosovën, por na duhet vendimi i Këshillit

Bruksel, 18 dhjetor 2024 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se komisioni është i gatshëm të përgatisë opinionin që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që t’i hiqen masat, por për këtë është i nevojshëm vendimi unanim i Këshillit të Evropës.

“Jemi të gatshëm ta nisim procesin, por na duhet një ftesë e Këshillit për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta gjë vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare, të cilin tash nuk e kemi. Por, po punojmë shumë që ta marrim atë, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë përpara“, ka thënë Von der Leyen.

“Pra, mbështetje e plotë për Kosovën, por po e shihni se ky është proces të cilin duhet ta tejkalojmë duke marrë parasysh edhe unanimitetin“, ka thënë ajo.

Ursula Von der Leyen i ka bërë këto komente duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me kritikat e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani tha se Bashkimi Evropian është i padrejtë me Kosovën, duke theksuar se Kosovës nuk I është dhënë ende statusi I kandidatit për Anëtarësim në BE dhe nuk I janë hequr masat ndërkuese të BE-së, për shkak të qëndrimit të disa vendeve të BE-së.

(r.m.)

Comment

*