Në muzeun që e nderon Musine Kokalarin, gruan që sfidoi komunizmin në Shqipëri

Blerina Gjoka dhe Fjori Sinoruka, BIRN

Musine Kokalari e pagoi shtrenjtë kundërshtimin e rënies së Shqipërisë në totalitariëm; një muze i sapohapur kujton luftën e saj të harruar për një shoqëri më të lirë.

Ishte një nga gjyqet më të famshme të kohës së komunizmit në vitin 1946 në Shqipëri. Imazhi i një gruaje me shall të zi në kokë, duke folur me mikrofon në një sallë kinemaje plot me njerëz, është i paharrueshëm.

Këto ishin vitet e para kur komunizmi po vendosej si forca e vetme politike e lejuar në vend.

Musine Kokalari e kundërshtoi urdhrin e ri. Së bashku me veprimtarë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë, në vitin 1943 ajo kishte krijuar një forcë rivale, Partinë Socialdemokrate.

Pasi dy vëllezërit e saj u vranë pa gjyq, ajo vetë u arrestua në vitin 1946.

Komunistët e quajtën atë një “armike të popullit” për shkak të sfidimit të supremacisë së tyre. Në gjyqin e saj farsë, të mbajtur në një sallë kinemaje, ajo nuk u lejua ta përfundonte mbrojtjen e saj, që ajo e kishte përgatitur vetë.

E shpallur fajtore, ajo kaloi 16 vjet në burgjet komuniste dhe më pas 22 të tjera në internim.

Në maj të këtij viti, në Gjirokastër, qytetin jugor ku lindi familja e saj, Arjeta Kokalari, drejtuesja e muzeut “Muza Ime”, hapi një muze të ri kushtuar të afërmes së saj të largët, Musinesë, në shtëpinë e saj të dikurshme, mbështetur nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe qeverisë suedeze.

Muzeu përmban sende personale që Musine Kokalari i ka përdorur gjatë viteve të internimit, duke përfshirë disa nga shkrimet dhe fotografitë e saj.

“Në atë moment, duke parë atë shtëpi të rrënuar, mungesa e njohjes se kush ishte Musineja dhe indiferenca e shoqërisë… ndaj kësaj figure të rëndësishme, siç e gjykova unë, më bënë të filloja të ndërmerrja hapa vetë”, tha Arjeta Kokalari për BIRN.

“I kushtohet jo vetëm asaj, por edhe periudhës së diktaturës komuniste – kryesisht viteve të para, kur u kryen krimet dhe aktet më të mëdha të persekutimit”, shtoi ajo.

Nuk iu lejua të mbronte veten në gjykatë

Një dhomë në muzeun e Gjirokastrës

Një dhomë në muzeun e Gjirokastrës

Musine Kokalari lindi në vitin 1917 në Adana të Turqisë, ku familja e saj jetoi për disa vite ndërsa babai i saj punonte si gjyqtar. Ata u kthyen më vonë në Shqipëri.

Në vitet 1930, ajo filloi të shkruante në gazeta dhe revista nën pseudonimin “Muza”.

Ajo mbaroi studimet universitare në Romë ku mori doktoraturën në Letërsi dhe u kthye në Shqipëri.

Atje, gjatë luftës, ajo ishte bashkëthemeluese e Partisë së re Socialdemokrate.

Në vitin 1945, grupet antikomuniste në Shqipëri formuan një koalicion të quajtur “Bashkimi Demokratik” për të ofruar një alternativë ndaj komunistëve, në zgjedhjet e para të mbajtura pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi.

Komunistët i denoncuan ata si “një bllok, qëllimi i të cilit është të rrëzojë qeverinë”. Në vitin 1946, persekutimi filloi seriozisht.

Ishte mundësia e fundit, pas vendosjes së sistemit komunist, që të dilte një alternativë tjetër politike.

Kokalari vuajti gjithë jetën e saj në burgje dhe internime komuniste.

Në mbrojtjen e saj të vitit 1946, të cilën BIRN e ka parë, kortezi e historianit dhe arkivistit Kastriot Dervishi, ajo u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të mos e njihnin regjimin e ri komunist të Shqipërisë.

“Më duket e arsyeshme t’i them vetes se e gjithë veprimtaria e këtij grupi të vogël socialdemokrat nuk është gjë tjetër veçse një notë drejtuar aleatëve perëndimorë për të shtyrë një votim për njohjen e qeverisë”, shkroi ajo.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për një “angazhim moral rreth një programi aktual midis partive politike” në Shqipëri.

Historiani Dervishi tha se asaj nuk u lejua ta përfundonte mbrojtjen e saj.

Mbështetësit e Partisë Komuniste në sallën e kinemasë ku po zhvillohej gjyqi “nuk e lejuan”, tha Dervishi. Për ta, ai ishte një “gjyq i të gjithë opozitës”.

Një figurë me rëndësi bashkëkohore

Arjeta Kokalari brenda muzeut

Arjeta Kokalari brenda muzeut

Arjeta Kokalari thotë se kishte 20 vjet që donte ta hapte muzeun.

“Konceptimi im për Musine Kokalarin ishte ai i një frymëzimi; për mua, ajo ka qenë një muzë. Ndoshta kjo ka ndikuar nga fakti që e njoha në moshën kur fillon të formohet personaliteti, kur njihesh me veten, kur isha 15 vjeçe – kur ishim ende në kohën e komunizmit, në kohën e sloganeve, kohën e propagandës”, tha ajo.

“Për herë të parë e pashë emrin e saj të shkruar në një nga muret e një kabineti historie, por në një kontekst negativ. Emri i saj ishte shkruar mes 12 emrave të tjerë që ishin të gjithë meshkuj. Nuk kisha dëgjuar kurrë për të. Ishte hera e parë që e hasja këtë emër dhe konteksti negativ në të cilin përfshihej më bëri të ndihesha keq dhe pak e turpëruar.”

“Thashë me vete: ‘O zot, ndoshta të tjerët nuk do ta shohin që edhe unë kam të njëjtin mbiemër dhe të fillojnë të më pyesin”, kujton ajo. “Por isha krenare për veten. Thashë: ‘Çfarëdolloj gjëje të keqe të ketë bërë kjo grua, padyshim që ka qenë shumë e fortë, sepse emri i saj ishte në mesin e emrave të këtyre 12 burrave.”

Më pas nisi të pyeste familjen për Kokalarin, kujton ajo.

“Ata më treguan se kush ishte ajo, sigurisht, me shumë kujdes; më dhanë librat që ajo kishte shkruar dhe kur m’i dhanë ata libra u ndjeva e befasuar nga qasja e tyre feministe. Ajo i kishte shkruar ato 40 vjet para meje – megjithatë unë ndihesha njësoj si ajo, kisha të njëjtat mendime si ajo”, tha ajo.

“Musineja nuk është një figurë thjesht historike, si gruaja e parë kundërshtare e komunizmit, apo si gruaja e parë shkrimtare në letërsinë shqipe, apo si ‘ajo vajza që ishte kundër diktaturës komuniste’. Ajo nuk është thjesht një figurë e së shkuarës, ajo është një figurë aktuale”, këmbënguli ajo.

Ajo tha se aspiratat dhe idealet e Kokalarit janë vërtet bashkëkohore.

“Edhe pse kanë kaluar 80 vjet që atëherë, ne jemi në të njëjtën pikë… Ajo aspironte demokracinë, liritë individuale dhe barazinë e grave në shoqëri. Ajo kërkonte pluralizëm politik dhe të drejtën për zgjedhje të lira”, tha ajo.

Për idealet e saj, Kokalari vuajti shumë në burgjet komuniste dhe më pas në internim në një kamp pune.

“Ajo ishte një e burgosur e vërtetë politike”, tha Arjeta Kokalari. “Ajo ishte një njeri me aktivitet politik, me vetëdije politike dhe me formim politik. Pas burgut, gjatë internimit, ajo punoi në ndërtim.”

Edhe atëherë, mbeti e izoluar nga shoqëria, e detyruar të paraqitej dy herë në ditë në Ministrinë e Brendshme dhe mbahej nën vëzhgim të vazhdueshëm. Ajo ndërroi në vitin 1983 nga kanceri i gjirit, në moshën 66-vjeçare.

Më shumë informacion rreth muzeut mund të gjeni këtu.

(Reporter.al)

Comment

*