Shoqata “Bijtë e shqipes” në Philadelphia organizoi një veprimtari falenderuese, darkë e koncert, për të gjithë kontribuesit kryesorë për rindërtimin e godinës së re të shoqatës
Nga dr. Sadik Elshani
Viti 2024 ishte një vit shumë i sukseshëm për shoqatën “Bijtë e shqipes”. Përveç shumë veprimtarive të zhvilluar, që tani janë bërë pjesë të rregullta në kalendarin tonë veprues, këtë vit ndodhen edhe dy ngjarje të jashtëzakonshme: përurimi i godinës së re të shoqatës dhe emërimi i nje pjese të rrugës ku ndodhet shoqata me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për këto dy ngjarje të rëndësishme për komunitetin tonë dhe veprimtaritë e tjera është shkruar më gjërësisht, prandaj nuk ka nevojë që të ripërseriten edhe një herë në këtë shkrim të shkurtër.
Rindërtimi i godinës së re të shoqatës ishte një ndërmarrje e madhe që zgjati për disa vite. Shoqata jonë e kishte një godinë, por ajo me kohë ishte bërë shumë e vogël për veprimtaritë e shoqatës, shkollës shqipe dhe nevojave të shtuara të komunitetit tonë. Rindërimi i godinës së re ishte një ndërmarrje që e angazhoi, i dha energji pozitive komunitetit tonë: secili donte të bënte diçka, të jepte ndihmesën e vet. Lista e atyre që kontribuan për këtë projekt është e gjatë: mbi 550 familje dhuruan mjete financiare, materiale, punën dhe talentin e tyre. Dhuruesit nuk janë vetëm nga Philadelpha, por edhe nga shtetet tjera të Amerikës, si dhe nga trojet shqiptare. Kjo përfshirje kaq e gjërë sikur ia përforcon edhe më tepër emrin e godinës, shoqatës sonë: “Shtëpia e shqiptarit”. Tani bashkësia jonë shqiptare në Philadelphia ka krijuar një potencial të madh njerëzor, intelektual e profesional që vepron në mënyrë të organizuar. është rritur mirëqenia e bashkatdhetarëve tanë, dita – ditës vazhdimisht shtohen bizneset (ndërmarrjet) e shqiptarëve në të gjitha veprimtaritë ekonomike e shoqërore. Ky projekt madhor e përbashkoi edhe më tepër komunitetin me shoqatën: duke rindërtuar këtë godinë, kemi ndërtuar edhe komunitetin tonë, një komunitet i angazhuar e i përkushtuar për t’i ruajtur vlerat tona kombëtare, gjuhën, kulturën, traditat tona të shkëlqyera. Kjo godinnë ka krijuar kushte mjaft të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive tona dhe kryeveprimtarinë e shoqatës sonë, shkollën nshqipe. Prandaj, nuk është e rastësishme që këtë vit numri i nxënësve është shtuar dukshëm, krahasuar me vitet e tjera. Dhe sipas rrëfimeve të prindërve, ata kanë më tepër dëshirë për të ndjekur shkollën.
Si një përmbylle me plot suksese dhe në shenjë nderimi e mirënjohjeje për të gjithë dhuruesit (donatorët), të cilët dhanë ndihmesën e tyre monetare, materiale, dhuruan punën e talentin e tyre, dhanë mbështetjen morale për rindërtimin e godinës, shoqata organizoi një mbrëmje falenderuese me darkë e muzikë, Një koncert metaforik në fund të vitit, sepse zakonisht çdo fushatë, çdo veprimtari festive përmbyllet me një koncert. Në fjalën e tij kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i falenderoi të gjithë donatorët, kontraktorët e shumtë, të cilët me punën e përkushtimin e tyre e bën të mundur që kjo ndërmarrje e madhe, më e madhja që shoqata jonë ka ndërmarrë ndonjëherë, të përfundojë me sukses. Ai e çmoi shumë sakrificën dhe vetëmohimin e tyre, sepse ata nganjëherë i kanë lënë keq punët e tyre, kanë anashkaluar kujdesin ndaj familjes. Me këtë rast shoqata disa individëve më të dalluar u ndau mirënjohjet: “Shembulli i atdhetarizmit”. Disa të tjerë janë nderuar në ceremoninë e përurimit të godinës, dhe ne veprimtaritë e tjera të shoqatës. Të pranishmit i përshëndeti dhe uroi për godinën e re edhe zonja Lisa Risilia, vajza e Ben Risilisë, familja e të cilit i kishte dhuruar mjetet financiare për blerjen e godinës së parë të shoqatës. Ajo shtëpi, ndonëse e vogël, ia mundësoi shoqatës që ta kryente misionin e saj me plot sukses, t’i shërbentë komunitetit tonë, duke e marrë edhe emrin mjaft domethënës: “Shtëpia e shqiptarit”. Nga shitja e saj u siguruan një pjesë e fondeve për rindërtimin e godinës së re.
Mbrëmja kaloi bukur në një atmosferë festive, që përkon bukur edhe me festat e fundvitit. Për argëtimin e pjesëmarrësve u kujdesën këngëtarët Arjol Shpuza e Flamur Hafesllari me grupi e tyre, emrat e të cilëve ishin lajmëruar paraprakisht. Por paraqitja e këngëtarit tonë të mirënjohur, Gëzim Nika, i cili i dha zjarr mbrëmjes me zërin e tij kumbues, ishte një befasi e këndshmë për të gjithë. Për ushqimet e shijshme ishte kujdesur zoti Alex Daku, pronar i disa restoranteve. Duhet cekur këtu se zoti Daku disa herë ka organizuar në restorantet e tij dreka e darka fondembledhëse për rindërtimin e godinës. Kënga dhe vallja shqiptare jehoi me orë të tëra, një ndjenjë krenarie vërehej në fytyrat e të gjithëve për përmbushjen e këtij projekti madhështor.
Ta gëzojmë të gjithë godinën e re, “shtëpinë e shqiptarit” – shtëpinë që i mirëpret dhe u shërben të gjithë shqiptarëve! Të vazhdojmë të ëndërrojmë e të synojmë për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen! Ky projekt i yni modest le të shërbejë si shembull edhe për komunitetet tjera shqiptare se, çdo gjë është e mundur kur shqiptarët i bashkojnë forcat për të mirën e tyre, për të mirën e vendit. Gëzuar!
Philadelphia, më 16 dhjetor 2024.