Gazë, 22 dhjetor 2024 – Të paktën 20 njerëz, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite gjatë të shtunës në mbrëmje dhe të dielës në mëngjes, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Ndërkohë, autoritetet izraelite lejuan kardinalin Pierbattista Pizzaballa, i cili është udhëheqësi i Kishës Katolike në Tokën e Shenjtë, të hyjë në Gazë për të marrë pjesë në një meshë para Krishtlindjes me anëtarët e komunitetit të vogël të krishterë në enklavë.
Një sulm ndaj një shkolle që strehonte njerëz të zhvendosur në qytetin Gaza la të vdekur të paktën tetë njerëz, përfshirë tre fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Mbrojtja Civile, e lidhur me qeverinë e drejtuar nga Hamasi, tha më herët se katër fëmijë ishin në mesin e të vrarëve.
Ushtria izraelite deklaroi se kreu një sulm preciz ndaj militantëve të Hamasit që strehoheshin aty.
Një sulm ndaj një shtëpie në qytetin qendror Deir al-Balah të shtunën vonë la të vdekur të paktën tetë njerëz, përfshirë tri gra dhe dy fëmijë, sipas Spitalit të Martirëve Al-Aqsa, i cili pranoi trupat e tyre.
Një burrë dhe gruaja e tij u vranë në një sulm në qytetin jugor Han Junis të dielën pak pas mesnatës, sipas Spitalit Nasser aty pranë. Një sulm ndaj një makine në qytetin Gaza vrau dy persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Nuk pati një koment të menjëhershëm nga ushtria për këto sulme.
Izraeli po vazhdon të kryejë sulme të përditshme në Gazë edhe më shumë se 14 muaj pas fillimit të luftës me Hamasin. Izraeli thotë se synon vetëm militantët, duke i akuzuar fshihen mes civilëve, por bombardimet shpesh vrasin gra dhe fëmijë.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Prej atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Izraeli thotë se të paktën një e treta e të vrarëve kanë qenë militantë dhe thotë se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve.
(Radio Evropa e Lirë)