Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Ipeshkvi i Ipeshkëvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, dhe krerët e shtetit të Kosovës përcollën mesazhe paqeje e dashurie në pritjen solemne për festën e Krishtlindjes.
Imzot Dodë Gjergji, në pritjen e organizuar në prag të Krishtlindjes, bëri thirrje për paqe e dashuri mes njerësish. Ai I ftoi të gjithë “të pagëzuarit” që të përcjellin mesazhin e Papa Françeskut për sa më shumë dashuri në këtë kohë “plot urrejtje”.
“Dua të ftoj të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie të këtij vullneti për paqe dhe kësaj urtësie për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve. Duhet të duam njëri tjetrin dhe çdo krijesë, ashtu siç na ka dashur Krishti ne. Të sjellim dashuri në kohën tonë e cila është plot urrejtje”, tha Imzot Dodë Gjergji.
Mesazhe për paqe e harmoni përcollën edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Albin Kurti.
Presidentjaq Osmani tha se festa e Krishtlindjes është simbol i besimit në mirësinë dhe solidaritetin njerëzor, ndërsa bëri thirrje sidomos për mbështetjen e njerëzve që kanë nevojë për ndihmë.
“Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfoj shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë, familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pran dhe bashkë-kombësve me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa. Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tone, mbi të gjitha ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani.
Kryeministri Kurti solli në kujtesë mesazhin e Nënës Terezë se mesazhi I Krishtlindjes përcillet përditë kur shpreh dashurinë ndaj njëri-tjetrit.
“Premtimi i Jezusit, mbush me shpresë, veçanërisht në kohë të vështira. Bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pashpresa e që me veprat e saj na ftoi në dashuri, përgjegjësi e përkujdes ndaj njëri-tjetrit duke na thënë se Krishtlindje nuk është vetëm një datë, është Krishtlindje çdo herë kur i buzëqesh vëllait dhe e merr për dore, është Krishtlindje çdo herë kur nuk i pranon ato parime që i robërojnë të ndrydhurit në skaje të shoqërisë. Është Krishtlindje çdo herë që shpreson me ata që nuk kanë shpresë në varfërinë fizike e shoqërore”, theksoi ai.
Mesahën solemne të Krishtlindjes në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë do ta udhëheqë Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
(r.m.)