Këlliçi pas intervistimit në SPAK: Jam pyetur për gjithçka. Jam i hapur për drejtësinë

Tiranë, 26 dhjetor 2024 – Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së për Tiranën, është intervistuar të enjten në SPAK për rreth 2 orë nga prokurori Elvin Gokaj.

Pas daljes nga SPAK-U, Këlliçi ka deklaruar për gazetarët se i është kërkuar të mos jape detaje për shkak të sekretit hetimor.

“Më është kërkuar që për disa detaje të hetimit mos të shprehem publikisht”, ka thënë ai.

Por, ai ka thӕnë se në SPAK është pyetur për gjithçka.

“Jam pyetur për gjithcka: për pasurinë, për partneren time, që unë dal në media dhe them që nuk bashkëjetoj me të. Për Trumpin jam pyetur. Paskam paguar mijëra euro për të bërë një foto me Donald Trumpin!, Le ta pyesin Trumpin. Çfarë të them une?”, është shprehur ai.

Ish deputeti i PD-së ka thënë se në SPAK ka dhënë sqarimet e tij ato që ai i ka quajtur “shpifje”, kundër tij, për shkak se e ka zbuluar aferën korruptive të Inceneratorit të Tiranës me vlerë 1 miliard euro dhe aferën 5D të Bashkisë së Tiranës.

“Kam dhënë sqarimet e mia në raport me të gjitha shpifjet e hedhur ndaj meje për shkak se kam rrëzuar një skemë korruptive me vlerë 1 miliard euro, atë të inceneratorit të Tiranës dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve që ka parë Ballkani Perëndimor, 5D”, ka thënë ai.

Këlliçi ka theksuar se ai është në dispozicion të drejtësisë për cdo pyetje apo sqarim në lidhje me të dhe me familjen e tij.

“Jam i hapur e në dispozicion të drejtësisë për cdo pyetje e sqarim në raport me mua, me familjen time apo me këdo që është i lidhur me mua që nga dita që kam lindur deri më sot. Kushdo që ka diçka në raport me mua, me deklaratat e mia, të nxjerrë fytyrën ballë për ballë, ashtu siç e kam nxjerrë unë”, ka thënë ai.

Këlliçi ka treguar se në spak është pyetur edhe lidhur me pretendimet për falsifikimin e diplomës së shkollës së mesme.

“E kam sqaruar para mediave, e kam sqaruar edhe sot në SPAK, kjo është një çështje që është ezauruar nga mediat gjatë fushatës elektorale dhe nuk e kam ndërmend që të jap më sqarime. Arsimi dhe edukimi im është krenaria ime më e madhe. E kam ndjekur ligjin amerikan në cdo praktike që kam ndjekur. Jam një nga krenaritë e Institutit Harry Fultz. Mund të shkoni të pyesni aty kush jam unë. Mund të shkoni edhe në shkollën 8 vjecare. Po jua them: edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës time. Nëse keni interes për korrupsionin që ndodh cdo ditë, një nga krenaritë e mia më të mëdha është denoncimi që kam bërë për 5D dhe inceneratorin e Tiranës”, është shprehur ai.

(r.m.)

Comment

*