Prishtinë, 27 dhjetor 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e përfundoi misionin e tij në Kosovë siç e kishte filluar para tre vjetësh, duke e nderuar figurën e Presidentit historic të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ambasadori Hovenier, pasi bëri homazhe te shtatorja e Presidentit Rugova, bashkë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rugova ishte i palëkundur në vizionin e tij për Kosovën shtet sovran, demokratik e shumetnik dhe që këtë ta bënte në përputhje me vlerat e komunitetit ndërkombëtar.
“Tre vjet më parë, pothuajse saktësisht tre vjet më parë, mbërrita në këtë vend. I dorëzova kredencialet e mia presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me presidenten për të vendosur një kurorë te statuja e ish-presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA-së në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë. E bëj këtë në kujtim të presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar. Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë, dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë”, tha ai.
Ambasadori Hovenier tha se gjatë shërbimit të tij trevjeçar si ambasador ka bërë përpjekje që të ndihmojë Kosovën ta realizojë vizionin e Presidentit Rugova dhe ka shtuar se ai ka parë përparim drejt realizimit të këtij vizioni.
“Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për herë të parë në fund të viteve nëntëdhjetë, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka dyshim për përparimin dhe për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të parë realizimin e vizionit të tij për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumë etnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha ai.
Hovenier tha se ai e kishte për nder të shërbente si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe të ndihmojë zhvillimin e Kosovës, duke theksuar edhe me këtë rast se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partineritetit me Kosovën.
“Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu për këto tri vite dhe ta kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar përparimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë”, theksoi ai.
Në përfundim të deklaratës së tij, ambasadori Hovenier tha se do të largohet nga Kosova si mik më i madh i Kosovës se sa kur kishte ardhur.
“Ka qenë nderi dhe kënaqësia ime të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj sukses të gjithëve. Do të largohem si një mik edhe më i madh i Kosovës se sa kam qenë kur kam arritur këtu”, ka thënë Hovenier.
Ndërkaq, Presidentja Osmani e vlerësoi kontributet mbi 25 vjeçare të ambasadorit Hovenier për lirinë e pavarësinë e Kosovës e pastaj edhe për shtetndërtimin.
“Një diplomat karriera e të cilit është lidhur në jo vetëm një rast me Republikën e Kosovës. Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pandalshëm qysh para 25 vjetësh, si diplomat që merrej me Kosovën, dhe kontribuonte për lirinë tonë, për të vërtetën, në veçanti për mbrojtjen e së vërtetë. Pastaj si një diplomat i angazhuar në ekipen e presidentit Ahtisari kur u propozua pavarësia për Republikën tonë dhe në gjithë procesin e shtetndërtimit deri tek misioni i tij këtu, në Kosovë, si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë të punojmë bashkë këto tri vite në interes të qytetarëve tanë”, theksoi Presidentja Osmani.
Ajo theksoi se mbrojtja e sovranitetit të Kosovës lidhet shumë ngushtë me aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me miqtë tjerë të Kosovës, siç thoshte Presidenti Rugova.
“Po e përfundojmPo e përfundojmë sot këtë takim lamtumirës, duke e nderuar presidentin Rugova, atin themeltar të Republikës sonë, njeriun i cili dëshmoi se mbrojtja e sovranitetit dhe mbrojtja e aleancave shkojnë bashkë dhe janë të ndërlidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën. Ai e dëshmoi se kur ke miq të fuqishëm pranë, kur ke miqësi që janë të bazuara në vlera atëherë edhe populli i Kosovës edhe shteti i Kosovës, shteti sovran në mbrojtje të plotë të integriteti territorial, ecën përpara”, tha ajo.
“E falënderoj ambasadorin Hovenier për kontributin e tij në mbrojtjen e këtyre vlerave, për zërin e tij të fuqishëm në mbrojtje të shtetit të pavaruar, sovran, multietnik të Kosovës në kufujtë e saj aktual. I uroj shëndet dhe gjithë të mirat në jetë, atij dhe fasmiljes së tij”, tha Presidentja Osmani.
(r.m.)