Prishtinë, 27 dhjetor 2024 – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të premten se në Kosovë është konfirmuar rasti i parë i një të prekuri me Mpox, apo siç njihet gjerësisht, linë e majmunëve.
I infektuari është një shtetas i Kosovës, 30 vjeçar.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës informon publikun se me datën 26. 12. 2024 në orët e pasditës, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e majmunëve. Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje”, thuhet në njoftim.
Instituti bën të ditur se pacienti është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe se I ka gjurmuar të gjithë personat që kanë pasur kontakt me të infektuarin.
“IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.
IKSHPK tërheq vëmëndjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht. Edhepse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik”, thuhet në njoftim.
KSHPK tërheq vëmëndjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht. Edhepse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik.
Lija e majmunit është një infeksion viral që shkakton puçrra me qelb dhe ka simptoma të ngjashme me gripin. Infeksioni zakonisht është i lehtë, por mund të shkaktojë edhe vdekjen.
Sëmundja transmetohet përmes kontaktit të ngushtë fizik, përfshirë marrëdhëniet seksuale. Megjithatë, ndryshe nga pandemitë e mëparshme globale si ajo e COVID-it, nuk ka asnjë provë që lija e majmunit përhapet lehtësisht përmes ajrit.
(r.m.)