Tiranë, 6 janar 2025 – Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme kundЍr Korrupsionit e Krimit të Organizuar, SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim Paraqitje”, e cila u rivendos nga Apeli i GJKKO të premten, më 3 janar.
Duka dale nga ndërtesa e SPAK-ut, Berisha hodhi akuza ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK-ut, duke i cilësuar si “anëtarë të një organizate kriminale që kanë qëllim asgjësimin e opozitës” në Shqipëri.
“Siç e dini, organizata kriminale kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t’i rikthehet arresti në shtëpi, jo se prish provat, jo se kanë ndonjë fakt, por sepse ka sulmuar gjykatësit dhe prokurorët. Këtu ne arrijmë në një moment dramatik, ku këta që flenë mbi dosjet e krimit vendosin të bëhen xhelatë të fjalës së lirë. Berisha i ka sulmuar dhe do t’i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin dhe kurrë njerëz të ndershëm që bëjnë ligjin”, tha Berisha.
Ai e akuzoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, se, siç u shpreh, “flen mbi dosje krimi” dhe theksoi se ai do ta faktojë këtë.
“Sali Berisha do të faktojë para jush se si Altin Dumani flen mbi dosje krimi, do të faktojë se si këta anëtarë të organizatës kriminale, siç deklaron Dumani, e ka blerë apartamentin me 380 metra katrorë, ndërsa ekspertëve u kërkon të vlerësojnë me 520 metra katrorë ndërtimin e viteve ’70. Altin Dumani është një kryekriminel elektoral, pasi ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit electoral”, theksoi ai.
Berisha e akuzoi SPAK-un se nuk ka guxim të hapë dosjet e skandaleve të kryeministrit Edi Rama dhe të bashkëpunërorëve të tij.
“Çfarë gjeta unë aty? Aty gjeta McGonigalin që po i bënte kurs Altin Dumanit. Ju mund t’u duket çudi, por kjo është e vërteta. Nuk e solla unë McGonigalin aty. Gjeta aty Lali vjedhësin. Po rrihej me kolegët, sepse thërrasin Arjolën dhe nuk thërrasin Lindën. Gjeta Ulsiun, zihej me Dumanin për çantën Louis Vuitton. Se Ulsiu, pasi mori një pagesë të madhe, shumë i kërkon çunit të Londrës edhe një çantë Louis Vuitton. I thotë ai, për kë e do çantën? Nuk po e vazhdoj bisedën se është intimitet familjar. Unë gjeta aty raftet me 130 mln euro të djegësave që po i ndanin me njëri-tjetrin. Gjeta paratë e sterilizimit”, u shpreh Berisha.
Para hyrjes së Berishës në SPAK dhe gjatë kohës që ai gjendej brenda, para ndërtesës së SPAK-ut ishin grumbulluar qindra mbështetës të Partisë Demokratike, përfshirë edhe drejtues të kësaj partie. Ata shprehën protestën e tyre ndaj masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Berishën, duke e cilësuar atë si “sulm të padrejtë dhe të motivuar politikisht” ndaj liderit të opozitës.
“O Sali, o hero”, thërrisnin simpatizantët e PD-së derisa Berisha po hynte në ndërtesën e SPAK-ut, ndërsa Berisha I përshëndeti ata duke ngritur dy gishtërinj, si simbol i demokracisë.
Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, në një deklaratë për medie, tha se procesi ndaj Berishës është një goditje e qëllimshme ndaj opozitës.
“Është vendosur një masë sigurie që nuk e kërkonte as SPAK. Ne jemi këtu sepse kjo goditje është në vazhdën e sulmeve ndaj Partisë Demokratike, opozitës dhe kryetarit të saj, me vendime tërësisht të montuara politike”, tha Këlliçi.
(r.m.)