Jep dorëheqje kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau

Otava, 6 janar 2025 – Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, njoftoi të hënën se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas rritjes së pakënaqësive me qeverisjen e tij rëmujës brenda Qeverisë së tij që doli në pah pas largimit të papritur të ministres së Financave.

Trudeau tha se “betejat e brendshme” nënkuptojnë se ai “nuk mund të jetë mundësia më e mirë” për zgjedhjet e ardhshme.

Ai tha se do të qëndrojë si kryeministër derisa Partia Liberale në pushtet ta zgjedhë liderin e vet të ri.

Trudeau tha se Parlamenti, i cili duhej ta rifillonte punën më 27 janar, do të pezullohet deri më 24 mars. Kjo kohë do t’ia mundësojë Partisë Liberale ta zgjedhë liderin e ri.

Trudeau synonte të garonte edhe për mandatin e katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, pavarësisht pakënaqësive në rritje mes anëtarëve të Partisë Liberale. Së fundmi, partia pësoi disfatë në zgjedhjet speciale në dy distrikte në Toronto dhe Montreal, të cilat i kishte mbajtur për vite me radhë.

Asnjë kryeministër kanadez në më shumë se një shekull nuk i ka fituar katër mandate radhazi.

Dhe, sipas sondazheve të fundit, shanset e Trudeaut për sukses dukeshin të pakta. Në sondazhin e fundit nga Nanos, liberalët janë pas konservatorëve, 47% kundrejt 21%.

Gjatë gati një dekade në pushtet, Trudeau ka përqafuar një sërë kauzash të preferuara nga baza e tij liberale. Ai ka folur në favor të imigracionit në një kohë kur vendet të tjera po përpiqeshin t’i forconin kufijtë e tyre. Ai ka mbështetur diversitetin dhe barazinë gjinore, duke emëruar një kabinet të përbërë në mënyrë të barabartë nga burra dhe gra. Ai legalizoi kanabisin.

Përpjekjet e tij për të gjetur një baraspeshë midis rritjes ekonomike dhe mbrojtjes së mjedisit u kritikuan si nga e djathta ashtu edhe nga e majta.

Në Kanada vdiqën më pak njerëz nga COVID-19 krahasuar me vendet e tjera, dhe Qeveria e tij ofroi mbështetje të madhe financiare. Por, armiqësia u rrit mes atyre që kundërshtonin vaksinimin e detyrueshëm. Flamuj me emrin e Trudeaut dhe fyerje u bënë pamje e zakonshme në zonat rurale.

Një kombinim skandalesh dhe politikash të papëlqyeshme dëmtoi perspektivat e tij me kalimin e kohës.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*