Prishtinë, 9 janar 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi të enjten se periudha e votimit për shtetasit e Kosovës jashtë vendit ka nisur nga sot dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 105 mijë qytetarë jashtë Kosovës janë regjistruar për të votuar. Prej tyre rreth 85 mijë janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa 20 mijë pritet të votojnë më 8 shkurt në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Numri më i madh i votuesve jashtë vendit është regjistruar në Gjermani dhe Zvicër.
Mërgimtarët kosovarë kanë mundësi të votojnë fizikisht më 8 shkurt në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në vendet ku jetojnë. Vendvotimet në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore do të jenë të hapur prej orës 07:00 deri në ora 19:00, sipas kohës lokale në vendet përkatëse.
Të drejtë vote kanë të gjithë ata që posedojnë dokumentet identifikues të lëshuara nga Kosova, si letërnjoftim, pasaportë ose lejen e vozitjes dhe që është regjistruar paraprakisht për votim. Në rast se dokumenti identifikues i lëshuar nga shteti i Kosovës është me afat të skaduar, atyre u kërkohet ta paraqesin edhe një dokument identifikues të vlefshëm të shtetit ku jetojnë.
KQZ-ja ka bërë të ditur se numri i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë 2 milionë e 75 mijë e 868 votues, brenda dhe jashtë Kosovës.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Në fletëvotim, votuesit do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga zgjedhjet e deritashme, kur ata kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.
Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit pritet të fillojë të shtunën me 11 janar.
Këto do të jenë zgjedhjet e para parlamentare të rregullta në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.
(r.m.)