Tiranë, 9 janar 2025 – Shtëpia Studio “Kadare” në Tiranë ka çelur një ekspozitë me dorëshkrimet e letërkëmbimet e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadaresë.
Ekspozita sjell dorëshkrimet e romaneve të Kadaresë, të daktilografuara dhe me shënime mbi to, siç janë lënë nga shkrimtari që u shua në korrik të vitit të kaluar.
Botues i Kadaresë, Bujar Hudhri, i vlerësoi dorëshkrimet.
“Kadare ishte besnik i shkrimit me dorë. Nuk e provoi kurrë shkrimin në kompjuter, si shumë shkrimtarë botërorë. Ju i shikoni kӕto fletë që duket se nuk thonë asgjë, por bukuria dhe kuptimi i këtyre dorëshkrimeve është i pakrahasueshëm për dikë që ka lidhur jetën me të dhe për studiuesit e shkencëtarët”, tha ai.
Ndër të tjera, është ekspozuar edhe korrespodenca me aktorin dhe regjisorin e madh francez Michel Piccoli lidhur me projektin e filmit bazuar mbi këtë vepër dhe një kopje origjinale e skenarit të këtij filmi.
Anisa Ymeri, drejtore e shtëpisë studio “Kadare”, tha se mes eksponateve të kësaj ekspozite është edhe një letër që nobelisti gjerman, Gunter Grass, ia kishte dërguar Kadaresë në vitin 1987 në emër të Akademisë së Arteve të Berlinit.
“Më 1987 i shkruante Kadaresë në emër të Akademisë se Berlinit, që të ishte pjesë e mendimit europian për të folur për çështje përtej letrare për një takim europian për të folur se si dy blloqe Lindje e Perëndim, nuk duhej të ishin më dy blloqe politike që ndanin por do të duhej të gjenin ura lidhëse”, tha ajo.
“Ai kërkonte një shkrimtar shqiptar, i cili kishte kaluar kufijtë, për të shkuar në Amsterdam, në një takim evropian që do të mbahej, për të folur se si dy blloqet Lindje dhe Perëndim nuk duhej të ishin më dy blloqe politike që ndanin, por do të duhej të gjenin ura lidhëse. Sipas Gunter Grassit ky është edhe një mision i shkrimtarëve, jo vetëm politikanëve dhe shoqërisë civile”, tha Anisa Ymeri.
Me vlerë të veçantë është edhe korrespodenca e Kadaresë me Zef Skiroin dhe me përkthyes të ndryshëm të veprave të tij në gjermanisht, rumanisht, anglisht etj. Mes tyre është edhe një letër e shkruar nga komuniteti arbëresh, ku i kërkohet Kadaresë përkthimi i novelës “Kush e solli Doruntinën.”
Veç dorëshkrimeve e letërkëmbimeve në ekspozitë gjenden edhe detaje të veçanta nga jeta e shkrimtarit, si: foto të rralla të tij, një portret i një piktori të panjohur, një letër dërguar ndërmarrjes së elektrikut në lidhje me problemet e pallatit me energji elektrike, një letër të një admiruesi amerikan që ia kërkonte me autograf romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, një kërkesë e lejes për të shkuar në Paris për promovimin e veprës së tij, e cila i është refuzuar, etj.
Ekspozita do të jetë e hapur deri në shkurt.
(r.m.)