Vuçiq: “Serbia nuk ka merituar me asgjë t’i vendosen sanksione të tilla”

Beograd, 10 janar 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua qytetarëve serbë menjëherë pas njoftimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përfshirë Industrinë Serbe të Naftës (NIS) në paketën e sanksioneve ndaj prodhuesve kryesorë rusë të naftës, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas.

Ai theksoi se Serbia po përballet me saksione serioze, ndonëse ajo, siç u shpreh, “nuk është përfshirë në asnjë mënyrë në konfliktet e fuqive të mëdha”.

“Serbia nuk ka merituar me asgjë t’i vendosen sanksione të tilla.Ne nuk jemi përfshirë në asnjë mënyrë në konfliktet e fuqive të mëdha. Ne jemi përballur me sanksione serioze”, tha Vuçiq.

“Serbia gjithmonë është përpjekur të ruajë neutralitetin”, shtoi ai.

Vuçiq tha se SHBA kërkon heqjen e kapitalit rus nga Industria Serbe e Naftës. Ai tha se Serbisë i janë vendosur afate për të kryer transformimin e pronësisë së NIS-it.

Presidenti serb tha se nga administrate e ardhshme e Shteteve të Bashkuara do të kërkojë rishikimin e vendimit për sanksionimin e Industrisë Serbe të Naftës.

“Ne do t’i kërkojmë administratës së ardhshme amerikane të rishikojë këtë vendim dhe të sigurojë rrethana lehtësuese. Ne i duam Moskën dhe Uashingtonin, por ë të dashur e kemi Serbinë. Besoj se edhe këtë herë do të dalim fitues”, ka thënë Vuçiq në përmbyllje të adresimit.

Gazprom Neft është aksionare e Industisë Serbe të Naftës prej vitit. Aksione më këtë kompani ka edhe Gazprom, kompania amë e Gazprom Neft.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve. Pjesa tjetër e aksioneve u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

NIS-i zotëron më shumë se 400 pika të karburanteve në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Kompanive të Naftës në Serbi, Tomisllav Miqoviq, ka thënë më herët se sanksionet eventuale do të ndikonin në tregun e derivateve të naftës në Serbi, por ka shtuar se “ka zgjidhje” për të gjitha pengesat që mund të dalin.

“Unë jam i bindur se ato sanksione, çfarëdo qofshin ato, nëse miratohen, nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, andaj besoj se do të gjendet një zgjidhje për të siguruar furnizim të sigurt të tregut të vendit”, ka thënë Miqoviq për Radion Evropa e Lirë.

Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari, Sllovaki dhe Serbi.

(r.m.)

Comment

*