Kurti në takim me zëvendës-sekretarin Verma: Amerika është aleati ynë kryesor dhe strategjik

Prishtinë, 10 janar 2025 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti të premten Zëvendës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma, i cil.i shoqërohej nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

 Zyra e Kryeministrit njofton se z. Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit, duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin kryesor dhe strategjik të Kosovës.

Në komunikatë njoftohet për temat që janë diskutuar në takim.

“Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, thuhet në komunikatë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Zëvendës Sekretarin Verma mbi zhvillimin dhe progresin që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit, teksa mbetemi të orientuar kah synimet strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE. Me rritjen ekonomike në njërën anë dhe progresin demokratik në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar që zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik shkojnë krah për krah, u shpreh kryeministri”, thuhet më tutje në komunikatën.

Aty thuhet se në takim është diskutuar edhe për dialogun midis Kosovës e Serbisë dhe se z. Kurti e ka akuzuar Beogradin për mospërmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit dhe për mosdorëzimin e udhëheqësit dhe autorëve tjerë të sulmit terrorist në Basnjskë, në shtator të vitit të kaluar.

“Në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kryeministri vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet në komunikatë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës thotë se takimi I Kurtit me z. Verma u zhvillua pak pas promovimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Edhe me këtë rast, kryeministri Kurti i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e projekteve në fushë të energjisë.

Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

10.1.2025-ZKM-2-210.1.2025-ZKM-6-110.1.2025-ZKM-4-2

(r.m.)

Comment

*