Një ngjarje shumëdimensionale, e iniciuar dhe organizuar nga diplomati Mal Berisha, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, mblodhi më 9 janar 2025, në studion e artit ODR, ku përgatitet artistja jonë e madhe Dua Lipa, në Newark të New Jersey-it, qindra shqiptaro-amerikanë, aktivistë të komunitetit, personalitete të spikatura, artistë dhe artdashës.
Ishte një mbrëmje krejt e veçantë politike, historike, artistike dhe kulturore, ku në qendër të vëmendjes ishte promovimi i studimit “Malet e Gjigantëve”, shkruar nga antropologu amerikan Dr. Carleton S. Coon dhe përkthyer në shqip nga ambasadori Mal Berisha.
“Notes on Albania 4”, sipas organizatorëve të këtij eventi, lidhet ngushtësisht me emrin dhe veprën e gazetares amerikane Rose Wilder Lane, e cila në vitin 1920 jetoi në Tiranë dhe u dashurua me Shqipërinë, duke i kushtuar një libër kujtimesh me titullin “Notes on Albania”. Ky fakt i veçantë u kthye në motiv dhe objekt frymëzimi për këtë projekt të bukur artistik, historik, diplomatik, politik dhe kulturor, të nisur nga Mal Berisha gjatë viteve kur ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandës së Veriut. Ai dëshmon lidhjet e atdheut tonë, Shqipërisë dhe Kosovës, dhe veçanërisht të Partisë Demokratike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tri edicionet e para të “Notes on Albania” sollën perla të muzikës dhe kulturës shqiptare, si: Ermonela Jaho dhe Arlinda Morava në edicionin e parë; Inva Mula dhe Genc Tukiçi në edicionin e dytë; ndërsa edicioni i tretë u përmbyll me Bashkim Ahmetin-Izano dhe ngjyrat e tij autentike të artit vizual, si dhe Sir Noel Malcolm me veprën “Kosova: Një histori e shkurtër”.
Në mënyrë të natyrshme, edicioni i katërt u kthye në vendin e origjinës – Amerikën, ku komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të rritet dhe të lartësohet kulturarisht që nga viti 1882, kur shqiptari i parë u vendos këtu.
Mbrëmja nisi me analiza dhe refleksione të thelluara mbi librin “Malet e Gjigantëve”. Vëmendje të veçantë tërhoqi fjalimi përmes Skype i Dr. Sali Berishës, i cili u duartrokit gjatë nga të pranishmit. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Amerikës, si dhe bëri një analizë shkencore të dy momenteve kryesore të mbrëmjes: Maleve të Gjigantëve dhe Kcimit të Tropojës.
Thirrja e Dr. Sali Berishës për aktivizimin e diasporës në proceset zgjedhore në Shqipëri u pasua nga një prezantim i detajuar i platformës “Diaspora për Shqipërinë” nga aktivisti demokrat zoti Zekeria Picari. Kjo platformë u ofron mundësinë shqiptarëve emigrantë të votojnë nga vendet ku ndodhen.
Zonja Florida Hoxha prezantoi në anglisht veçoritë antropologjike të Gegëve të Shqipërisë së Veriut sipas studimit të Coon, duke shtuar një dimension të rëndësishëm shkencor në diskutim.
Një moment kulmor i eventit ishte përfaqësimi i K’cimit të Tropojës, i sapopranuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Koreografja dhe artistja Angjelina Nikaj ndau historinë, ritmet dhe teknikat e kësaj pasurie unike, ndërsa grupi Rozafati dhe pianisti Lourian Saraçi sollën emocione me interpretimet e tyre live.
Mbrëmja u mbyll me fjalime përshëndetëse nga personalitete të shquara si: Fadil Berisha, simbol i promovimit të artit dhe bukurisë; aktivisti i çështjes tonë kombëtare, z. Harry Bajraktari; zoti Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA; anëtari i Bordit Drejtues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, z. Agim Aliçkaj; dhe kryetarja e Bashkisë Fairview, zonja Violeta Berisha. Një kontribut të veçantë dha edhe aktivisti z. Nuredin Seci.
Mbrëmja u sponsorizua nga SIHANA GROUP, e Kreshnik Berishës, bashkë me të vëllanë, Erion Berisha. Kjo ngjarje u mbulua nga media lokale Albanian Culture TV, me drejtues z. Adem Belliun.
Këtë veprimtari kaq kuptimplotë e drejtoi me kompetencë skenike dhe profesionale shkrimtarja e njohur shqiptaro-amerikane, zonja Marjana Zeneli-Bulku.
Eventi përfundoi me duartrokitje, biseda të ngrohta dhe premtimin se Diaspora Shqiptare e Amerikës nuk i harron traditat më të mira të popullit tonë dhe se është e gatshme të votojë për Partinë Demokratike më 11 maj 2025. Ju lutem gjeni më poshtë filmimin e plotë të aktivitetit, filmuar nga studioja AG Pronë e Adem dhe Mimoza Belliut në New York. Proud to be Albanian!