Prishtinë, 15 janar 2025 – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.
Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.
Në një video-regjistyrim të publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.
Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.
Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.
Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë.
(r.m.)