Bruksel, 15 janar 2025 – Bashkimi Evropian (BE) ka kritikuar Kosovën për mbylljen e strukturave paralele serbe, duke vlerësuar se “këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së.
“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron kryerjen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në reagimin e BE-së pas mbylljes së strukturave paralele të Serbisë në dhjetë komuna të Kosovës.
BE-ja i ka përmendur edhe masat e saj kundër Kosovës. Në reagim thuhet se këto veprime nuk janë të favorshme” për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës.
BE-ja ka thënë se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizxim të raporteve mes Kosovës e Serbisë.
“Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me obligimet e saj në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të fundit të saj ndaj tij”, ka thënë tutje.
Policia e Kosovës njoftoi se të mërkurën i ka mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec e Skenderaj si edhe posta dhe zyra tatimore ilegale.
(r.m.)